Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 11:51

Deputetët demokratë, anëtarë të Komisionit për Administratën Publike, Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, i kanë dërguar një mesazh presidentit, duke i kërkuar të mos bëjë dekretime kandidaturash pa u konsultuar me ta. Ky është një tjetër hap në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit mes mazhorancës dhe presidentit.

“Të enjten, për herë të parë në historinë e Parlamentit shqiptar, që nga viti ’91, një dekret në Kuvendin e Shqipërisë mori vetëm një votë. Ky ishte votimi për kandidatin për kryetar të Kontrollit të lartë të Shtetit, të dekretuar nga Presidenti i Republikës.

Ky ishte propozimi i Presidentit të Republikës, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Deputetet  demokrat të Komisionit  te  ligjeve, duke respektuar Presidentin e Republikës, i kërkojnë atij që, çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit, duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet  e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të respektohet funksionimi i institucioneve kushtetuese të vendit,” thuhet në mesazhin e deputetëve të PD.