Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 11:07

Tiranë – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Leonard Demi, komenton humbjen që pësoi PD-ja në zgjedhjet e 23 qershorit.

Sipas tij, shkaqe të rezultatit të dobët ishin korrupsioni politik i krerëve të grupeve të punës në qarqe, klaneve të tyre si dhe nepotizmi partiak në gjithë vendin.

Leopard Demi akuzon hapur 12 krerët që drejtonin ‘Grupet e Punës’ në 12 qarqet e vendit, duke thënë se i kishin kthyer qarqet në pronën e tyre dhe të individëve që mbanin njëri- tjetrin si në drejtimin e administratës dhe atë të partisë përgjatë gjithë kohës në mandatin e dytë qeverisës.

“Së pari, me vendim të PD-së, nga pikëpamja partiake, çdo qark drejtohet nga një ‘Grup Pune’. Pas shtatë vjetësh në pushtet, kryetari i ‘Grupit të Punës’ rëndom nuk ka zbatuar orientimet e PD-së për funksionimin e grupit”,shprehet Demi për Shekullin.

“Kontrolli i zonës nga këta krerë grupesh ka minimizuar autoritetin dhe aktivitetin e deputetëve në bazë, ku këta të fundit nuk ishin efektivë për të bërë fushatën në zonat e tyre elektorale. Mosfunksionimi i Grupit të Punës sipas orientimeve të PD-së, ka ngërthyer një lidhje të shkurtër midis kryetarit të Grupit të Punës së qarkut dhe kryetarëve të degëve apo nëndegëve të PD-së të vetë qarkut. Ky qark i mbyllur partiak dhe lokal lindi klane lokale apo më të gjera, të cilat kënaqnin interesat e një grupi të vogël njerëzish të lidhur nga interesa të ngushta vetjake. Mungesa e transparencës së krerëve të grupeve të punës në qarqe ka bërë që të nxitej korrupsion politik, sidomos në rastet kur në pozicione të rëndësishme lokale janë vendosur miqtë apo njerëzit e tyre, duke mos marrë parasysh kualifikimin dhe kontributin e tyre individual real, me pak fjalë nepotizëm, patronazhe, apo kleptokraci lokale”, nënvizon Demi.

Në vijim, ish-deputeti i PD-së thellon akuzat duke thënë se administrata drejtohej në disa rrethe nga ekspertë të dobët apo më të dobëtit midis të tjerë.

Sipas tij, “korrupsioni kishte prirje tjetër, “korrupsioni institucional”, që ndryshon nga ryshfetet apo përfitimet e tjera vetjake. Korruptohej institucioni”.

Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, shpjegon gjithashtu se një tjetër arsye pse PD-ja dhe kreu i saj Berisha humbi zgjedhjet ishin dhe tensionet, përçarjet dhe humbja e imazhit të PD-së në nivel lokal, që kishte anëtarësia në bazë për shkak të drejtimit të gabuar, nepotik dhe të korruptuar të drejtuesve të grupeve të punës në çdo qark.

“Partia Demokratike vitet e fundit funksiononte me strategji staliniste”, sipas Leonard Demit, i cili shton se, edhe pse me mjete të shumta logjistike, me mbledhje, takime dhe ngjarje të tjera për të riaktivizuar dhe forcuar strukturat në bazë, PD-ja humbi pasi i kishte rënë reputacioni personave përgjegjës, drejtuesve dhe liderëve politikë të partisë në nivel kombëtar dhe lokal.