Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 18:27

Prishtinë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta përkrahin forcimin e shtetit të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, tha sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Christopher Dell, në takimin e zhvilluar në Prishtinë me zv/kryeministren Edita Tahiri.

Burimeve zyrtare të Kryeminsitrise bënë të ditur se “gjatë takimit u bisedua për situatën e përgjithshme në vend dhe ndryshimet e fundit pozitive që ka bërë qeveria e Kosovës pas veprimeve të gjithanshme për forcimin e sundimit të ligjit dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit, duke rritur sigurinë, rendin dhe cilësinë e jetës për gjithë qytetarët e vendit”.

Zv/kryeministrja Tahiri vlerësoi lartë angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve dhe të vet Ambasadorit Dell për fuqizimin e shtetit të Kosovës, ndërsa siguroi se qeveria është maksimalisht e angazhuar për ndërtimin e një shteti mbi parime euro-atlantike.

Më tej, Tahiri e konsideroi si legjitim vendimin e qeverisë për vendosjen e reciprocitetit tregtar me Serbinë pas dështimit të Serbisë për njohjen e vulave të doganave të Kosovës dhe pas një tolerance trevjeçare në asimetrinë tregtare.

Tahiri tha se rivendosja e rendit dhe ligjit në veri të vendit është në favor të qytetarëve atje duke theksuar gatishmërinë e Qeverisë për të rritur investimet në këtë pjesë. Sipas saj, Kosova mbetet e përkushtuar që të avancojë axhendën e saj në politikën e jashtme për fuqizimin e aleancave me SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Në takim u vlerësua se ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e Kosovës është e drejtë kushtetuese e institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe sundimi i ligjit dhe kontrolli i kufjeve janë vlera me të cilat dallohen shtetet e suksesshme.

Ambasadori Dell tha se përgëzon Qeverinë për sukseset e arritura dhe se fton për shtim të angazhimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe fuqizimit të shtetit. Ai tha se SHBA-të do të vazhdojnë ta përkrahin forcimin e shtetit të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.