Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 16:35

Prishtinë – Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell ka mohuar të ketë nxjerrë nga zarfi emrin e presidentes së vendit Atifete Jahjaga gjatë takimit me drejtuesit e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, ashtu siç kishte deklaruar Behgjet Pacolli.

Dell ka thënë se zgjedhja e Jahjagës në postin e presidentit nuk ishte propozim i tij, por ajo  është zgjedhur në krye të vendit si rrjedhojë e kompromisit ndërmjet Pacollit, Mustafës dhe Thaçit.

“Ata e kanë diskutuar këtë mes tyre dhe emri ka dalë nga diskutimet e liderëve kosovarë”, u shpreh ai.

Dell dhe Mustafa e kanë dënuar shpërthimin e dhunës, pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit ndërmjet Prishtinës dhe Bambit.

“Kam dëgjuar për këtë. Është shumë e pakëndshme, por në anën tjetër dhuna në sporte ndodh në shumë vende për shumë arsye të ndryshme”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ndeshja derbi në mes basketbollistëve të Sigal Prishtinës dhe Bambit, ka përfunduar në mënyrë jo të mirë, për faktin se pas takimit Policia e Kosovës është përleshur me tifozët e skuadrës vendëse, “Plisat”.

Eksesi ka ardhur kur pjesëtarët e policisë, disa prej tyre serbë të Mitrovicës, janë ndier të fyer nga tifozët prishtinase “Plisat”. Në këtë rast policia ka përdorur sprej, por edhe i kanë goditur tifozët. Në këtë përleshje disa nga policët, por edhe disa tifozë kanë pësuar lëndime të ndryshme.