Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 09:59

Prishtinë – Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Christofer Dell, shprehu dje në mbrëmje bindjen se Atifete Jahjaga, e propozuar si presidente e Kosovës, “do ta bëjë detyrë të saj parësore përgjegjësinë për të mbrojtur kushtetutën dhe institucionet e Republikës”.

“Atifete Jahjaga është zgjuar sot në mëngjes pa ditur gjë që jeta e saj do të ndryshonte.  E di shumë mirë se ajo kurrë nuk e ka kërkuar këtë nder. Megjithatë, në përputhje me mënyrën si ka jetuar ajo, kur detyra e thërret, ajo i përgjigjet asaj pa ngurrim. Atifetja është njëra prej oficereve policore më të mira dhe më të larta. Ajo e ka punë të saj të jetës mbrojtjen e sundimit të ligjit. Ajo është betuar njëmbëdhjetë vjet më parë që t’iu përmbahet ligjeve të këtij vendi dhe kurrë nuk ka dështuar në detyrën e saj. Unë jam i bindur se si Presidente e Kosovës ajo do ta bëjë detyrë të saj parësore përgjegjësinë për të mbrojtur kushtetutën dhe institucionet e Republikës”, tha ambasadori Dell.

Ai shprehu bindjen se “në një kohë kur institucionet e Kosovës janë dëmtuar dhe janë ngritur shumë pyetje a është Kosova e aftë për të siguruar drejtësi për popullin e saj, unë besoj se Atifete Jahjaga do të jetë një simbol i rëndësishëm i përkushtimit të vendit për drejtësi dhe që presidenca e saj do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri dhe konstruktiv në historinë e vendit”.