Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 12:04

Tiranë-  Komisioni parlamentar i Ekonomisë shqyrtoi paraditen e sotme dekretin e Presidentit të Republikës, që propozon Sali Shehun si kryetari i ardhshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

Në komision është i pranishëm dhe kandidati Shehu, i cili prezantoi para deputetëve projektin e tij për veprimtarinë e këtij institucioni të rëndësishëm në vitet në vazhdim.

Shehu theksoi se KLSH duhet të jetë e pavarur nga qeveria, ajo duhet të rrisë rolin auditues ndaj rasteve të abuzimit dhe t’i dërgojë shkelësit para drejtësisë.

Ndërkohë, pas një ndërprerje të shkurtër komisioni ka rinisur mbledhjen, ku kandidati Shehu po i përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Dekreti i Presidentit vjen pas përfundimit të mandatit 7 vjeçar të kryetarit të KLSH-së, Robert Çeku.

Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar (2005-2009) dhe do të jetë parlamenti ai që do të vendosë përfundimisht për të.

Edhe një ditë më parë në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi rrëzimin e kandidaturës së Sali Shehut për në krye të Kontrollit të Shtetit për dy arsye.

E para sipas tij është fakti se presidenti i republikës Bamir Topi nuk ka konsultuar parlamentin për këtë propozim dhe e dyta është se zoti Shehu nuk ka përgatitjen e duhur për një post kaq të rëndësishëm.