Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 16:20

Tiranë – Takimi i katërt për Stabilizim-Asocimin mes Shqipërisë dhe BE-së ka përfunduar me miratimin e një deklarate, ku përfshihen 6 rekomandime, të cilat shërbejnë për çuarjen më përpara të proceseve integruese.

Pika e parë e deklaratës shpreh shpresën për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Pika e dytë e deklaratës ka të bëjë me avancimin e reformave të kërkuara nga BE dhe inkurajimin e politikanëve shqiptarë për t’u përfshirë në konsolidimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga aktorët politike.

Një pikë tjetër e deklaratës përshëndet miratimin e ligjeve me 3/5. Ndërsa pika e katërt thekson nevojën për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti të sistemit të drejtësisë për një luftë kundra korrupsionit që është një kërkesë kryesore e BE-së ndaj Shqipërisë.

Pikë tjetër e deklaratës është rëndësia e politikave fiskale të disiplinuara dhe reformat makro-ekonomike. Deklarata mbyllet me pikën e gjashtë e cila thekson rëndësinë që marrin marrëdhëniet e shëndosha me fqinjët në proceset integruese.

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së hyri në fuqi më 1 prill 2009, pas ratifikimit të saj nga 25 vendet anëtare te BE-së, të cilat ishin pjesë e komunitetit në momentin e nënshkrimit të MSA-së, si dhe miratimin e saj nga Parlamenti shqiptar.

Procesi i ratifikimit u krye në më pak se 3 vjet dhe u finalizua me ratifikimin e marrëveshjes nga parlamenti grek në 15 janar 2009, duke i hapur kështu rrugën Shqipërisë drejt aplikimit në BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ndërkohë në pritje të përfundimit të procesit të ratifikimit të MSA-së, me procedura të përshpejtuara hyri në fuqi më 1 dhjetori 2006, Marrëveshja e Përkohshme, e cila lidhet vetëm me provizionet tregtare.

Kuadri i përgjithshëm i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit përbëhet nga katër shtylla: dialogu politik dhe bashkëpunimi rajonal, dispozitat tregtare lidhur me liberalizimin progresiv të këmbimeve deri në vendosjen e një zone tregtie të lirë midis palëve, liritë komunitare, dhe së fundi bashkëpunimi në fushat prioritare sidomos në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme.