Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 15:27

Tiranë- Partitë shqiptare në Maqedoni jozyrtarisht presin që vetë kryeministri i ri të thotë se çfarë ka dashur të nënkuptoj me deklaratën e tij që nënkupton barazimin e shqiptarëve në Maqedoni me pakicën minore maqedonase në Shqipëri.

“Zoti president më shprehu shqetësimin e tij që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh jo thjesht si detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por dhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, se ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne nuk kemi mundësi ta bëjmë për të tjerët. Dua të shpresoj e të besoj se sëbashku si fqinj dhe si miq ne do çojmë para një proces bashkëpunimi, ku implementimi me rigorozitet i marrëveshjeve dhe mekanizmave ndërkombëtare për të dakortësur bashkëjetesën mes pjesës maqedonase dhe shqiptare të Maqedonsië do jetë i padiskutueshëm”, deklaroi dje kryeministri Rama.

Por, kjo deklaratë nxiti reagimin e menjëhershëm të partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike, përmes ish-ministrit të jashtëm dhe deputeti aktual, Aldo Bumçi.

Bumçi sulmoi kryeministrin e ri se hoqi vizë barazie mes shqiptarëve në Maqedoni dhe pakicës maqedonase në Shqipëri.
“Rama vuri shenjën e barazimit mes pakicës maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve të Maqedonisë që bëjnë 25 % të popullsisë. Rama tha se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni kur nuk respektojmë të drejtat e pakicave maqedonase këtu. Shoqëria në cdo raport vlerësohet me notat më të larta për të drejtat e pakicave. Një krahasim i tillë është i keq pasi cënon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, theksoi ish-ministri Bumçi.
Një reagim i ashpër ka pasuar edhe nga ish-kryetarja e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli.
“Sot e kishin radhën shqiptarët e Maqedonisë. Rama, në takimin me presidentin e Maqedonisë, nuk artikuloi Marrëveshjen e Ohrit. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me shqiptarët në Maqedoni. Ai tha se ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”, deklaroi deputetja aktuale e PD-së, Jozefina Topalli.
Sipas saj, as në realitet, e as në asnjë raport ndërkombëtar nuk ka asnjë problem të shtruar për pakicën maqedonase në Shqipëri, të cilët gëzojnë gjithë të drejtat e liritë e njeriut si çdo qytetar shqiptar.
“Dëgjuam nga kryeministri një qëndrim krejt të huaj, jo shqiptar, për shqiptarët!!!!. Deklarata e Ramës është e rrezikshme. Ajo fyen luftën e shqiptarëve në Maqedoni, fyen përpjekjet e tyre për liritë e të drejtat themelore. Ato sot ishin të tradhtuar nga Tirana zyrtare. Dhe kjo vetëm 4 ditë pas fjalimit përçarës që bëri para Kuvendit të Kosovës! Rama duhet të kërkojë falje”, shkruan Topalli në Facebook.
Reagime të ashpra kanë pasuar edhe në rrjetet sociale, por edhe në vetë profilin në facebook të Ramës, ku është kritikuar qasja dhe deklarimi i tij mbi shqiptarët në Maqedoni. /INA/