Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 13:54

Prishtinë – Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Ilir Deda, ka thënë se për t’u zbatuar plani i marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ndryshohen më së paku 30 deri në 50 ligje.
“Të tre akterët po përpiqen të arrijnë me një shpejtësi të madhe çfarëdo marrëveshje, por pa një analizë të mirëfilltë për efektin e asaj për çfarë po merren vesh. Deri më 20 qershor Kosova duhet t’i ndërrojë 30 deri në 50 ligje. Duhet ta ratifikojë si marrëveshje ndërkombëtare planin, me çka ndryshon edhe Kushtetuta”, ka thënë Deda.
Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka vlerësuar se do të ishte shumë më mirë të ishte një marrëveshje bazë e cila do t’i definonte raportet Kosovë – Serbi, e jo një marrëveshje e tillë ku bisedohet me Serbinë se si do të duket Kosova.
Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, njohës i rrethanave politike në vend, Ilir Deda, ka thënë se për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet një marrëveshje bazë në letër, e cila parasheh qartë marrëdhëniet Kosovë – Serbi, se si Kosova të anëtarësohet si shtet i pavarur në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe të fillohet në mënyrë aktive në gjetjen e personave të pagjetur.
Ai ka thënë se me arritjen e marrëveshjes aktuale në Bruksel është legalizuar çështja e krijuar në terren. Gjithashtu, kjo marrëveshje, sipas tij, jep një ombrellë të ligjeve të Kosovës në veri, në të njëjtën kohë jep siguri kushtetuese dhe ligjore nga ana e Serbisë.
“Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk mund të jetë diskutim për çështje të brendshme të Kosovës. Të tretë po përpiqen të vijnë me një shpejtësi të madhe deri te çfarëdo marrëveshje, por pa një analizë të mirëfilltë për efektin e asaj për çfarë po merren vesh. Deri më 20 qershor Kosova duhet t’i ndërrojë 30 deri në 50 ligje. Duhet ta ratifikojë si marrëveshje ndërkombëtare planin, me çka ndryshon edhe Kushtetuta”, ka thënë Deda.