Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 21:33

 

Në Francë kanë vazhduar reagimet pas ekstradimit të një familjeje rome nga Kosova, veçanërisht të vajzës së tyre pesëmbëdhjetë vjeçare. Qeveria franceze ka bërë të ditur një ditë më parë se do të hetojë trajtimin që i është bërë 15 vjeçares, Leonarda Dibrani, në prani të nxënësve të tjerë të klasës, nga ana e policisë, derisa ajo dhe familja e saj ishin në procedurë ekstradimi, si imigrantë të paligjshëm.

 

Qindra nxënës kanë bllokuar sot rreth njëzet shkolla të mesme në rajonin e Parisit, në shenjë proteste, derisa ministri më popullor i qeverisë Hollande, është vënë në shenjestër të kritikave të ashpra, raporton Reuters.

 

Zyrtarë nga vetë Partia Socialiste e ministrit të brendshëm Manuel Valls e kanë akuzuar atë për tradhëti ndaj parimeve të së majtës, për politikat e këtij të fundit rreth ekstradimit të imigrantëve. Zyrtarë francezë kanë premtuar hetime të menjëhershme për rastin, dhe kanë thënë se familjes në fjalë do t’i lejohet hyrja në Francë nëse dëshmohet se policia i ka thyer rregullat gjatë arrestimit të vajzës. Grupe për të drejtat e imigrantëve, e madje edhe anëtarë të Partisë Socialiste, e cila është në pushtet, i kanë quajtur mënyrat e ekstradimit, si shokuese.