Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 18:06

TIRANË- Kuvendi pas debateve të forta mes socialistit Damian Gjiknuri me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli ka vendosur të përjashtojë deputetin e PS, 1 javë nga punimet e Parlamentit.

I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i deputetit socialist, i cili duke e cilësuar vendimin të paligjshëm ka theksuar se ai gjatë mbledhjes së sotme denoncoi paligjshmërinë e saj.

Opozita në Komisionin e Ligjeve ka kërkuar që kreu i KQZ-së të zgjidhet pasi të jenë zgjedhur anëtarët e këtij komisioni. Mbledhja e sotme, në të cilën u miratuan edhe propozimet e LSI-së dhe të PBDNJ-së për anëtarët në KQZ u shoqërua me debate të ashpra mes palëve. Në mbyllje të mbledhjes, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ka deklaruar për mediat se procedura që u tentua të përdorej për zgjedhjen e kreut të KQZ është në shkelje të ligjit.

Kom.Ligjeve miraton kandidaturat e LSI e PBDNJ për anëtarë të KQZ
Pas kandidatëve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste komisioni i Ligjeve ka miratuar sot edhe kandidatët e LSI dhe PBDNJ për anëtarë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kandidaturat e LSI për anëtarë të KQZ-së janë Ilirjan Muho dhe Arben Shkëmbi, ndërsa ato të PBDNJ-së janë Jani Jani dhe Spiro Kuro. Këto forca do përfaqësohen vetëm me një kandidat në Kuvend, i cili do zgjidhet në Kuvend mes kandidatëve të sipërpërmendur.

PS dhe PD do kenë secila nga dy anëtarë në KQZ. PS ka propozuar Denar Biba dhe Albana Shtyllan ndërsa PD Vera Shtejfnin e Hysen Osmanaj për në krye të KQZ, ndërsa dy anëtarët e tjerë (njëra nga secila parti) do të dalin nga PBDNJ-ja si forca e dytë e koalicionit opozitar dhe LSI-ja, si forca e dytë e koalicionit qeverisës dhe do zgjidhen në Kuvend.

“Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës”, thuhet në germën “ç” të nenit 14 të Kodit. (LajmeShqip.com)