Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 20:15

Tiranë – Komisioni parlamentar i Sigurisë u përfshi nga debatet lidhur me çështjen e lirimit nga detyra të dy gjeneralëve të ushtrisë shqiptare, Arian Zaimi dhe Kudret Çela. Maxhoranca nuk ishte dakord që përfundimet e nxjerra nga grupi i punës për lirimin e gjeneralëve të paraqiteshin në komision, pasi për këtë çështje ishte shprehur më parë me një vendim Gjykata Kushtetuese.

“Komisioni, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të merrte në shqyrtim ankesën e gjeneralëve pavarësisht se personat e caktuar kishin përgatitur raporte. Kjo bie ndesh me nenin 77 të Kushtetutës dhe vendimin  e Gjykatës Kushtetuese. Opozita kërkoi të bënte show-n e radhës, ndërkohë që asaj iu kërkua të njihej me vendimet e Kushtetueses”, u shpreh në një prononcim për mediat, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha.

Ndërsa përfaqësuesi i opozitës, deputeti Pirro Lutaj situatën e krijuar sot në komisionin e Sigurisë e cilësoi alarmante. “Mandatimi që na është bërë ne deputetëve nuk ka të bëjë me një vendim përfundimtar, nëse ata gjeneralë do të vazhdojnë të jenë në ushtrinë shqiptare ose jo, por ka të bëjë me paraqitjen konkrete të procedurës që shoqëron shkarkimin e tyre”, tha Lutaj.

Dy gjeneralët, Arian Zaimi dhe Kudret Çela janë ankuar në komisionin e Sigurisë për mënyrën se si kanë dalë në lirim. Ata janë shprehur se urdhrat për lirimin e tyre janë bërë në kundërshtim me ligjint dhe kanë kërkuar rikthimin në detyrë. (LajmeShqip.com)