Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 13:01

Prishtinë – Ligjvënësit e Kosovës, pas disa shtyrjesh, kanë nisur sot debatin rreth privatizimit në Kosovë. Vënia në rend të ditës të Kuvendit të këtij procesi u bë me kërkesën e deputetit Visar Ymeri të Vetëvendosjes, dhe përkrahjen e deputetëve të grupeve të tjera parlamentare, të nevojshme sipas Rregullores së Kuvendit.

Deputeti Visar Ymeri, duke arsyetuar motivin për të debatuar rreth kësaj çështjeje, ai renditi shumë dështime dhe dëme që i ka shkaktuar vendit ky proces. Po ashtu e quajti burim keqpërdorimesh nga grupe e individ të të gjithë atyre që e patën këtë mundësi nga viti 2001, kur filloi privatizimi. Sipas tij në kohën kur filloi ky proces, i konsideruar shpëtimtar për zhvillimin e Kosovës, ishin aktive 86 për qind e kapaciteteve prodhuese dhe ndërmarrjeve të trashëguara nga periudha e socializmit, që u shkatërruan gati të gjitha dhe lanë pa punë dhjetëra mija të angazhuar dikur në to.

As debatuesit e tjerë rreth kësaj teme nuk u shprehen me tone pozitive për procesin dhe efektet e deritashme të privatizimit. Ministri i Zhvillimit, Besim Beqaj, me gjithë vërejtjet, tha se sektori privat në Kosovë është potenciali më i fuqishëm i zhvillimit, duke iu kundërvënë kështu kritikuesve të privatizimit, ani pse ata kanë vërejtje jo pse po ndodhë privatizimi, por si po zhvillohet dhe për keqpërdorimin e tij. Ai “amnistoi” qeverinë për dëmet e eventuale, meqë kjo ishte punë e AKM-së, përkatësisht AKP-së.

Ishte shumë kritike edhe deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçiu, e cila e konsideroi të dështuar dhe me shumë pasoja për zhvillimin e Kosovës.

Kryekuvendari Jakup Krasniqi  akuzoi të gjitha qeveritë e vendit për politika të dështuara e keqpërdorim të privatizimit. Ai përkujtoi sekserët, për të cilët u bë fjalë muajve të fundit, që flasin për atë që ndodhi gjatë këtij procesi. Ai kërkoi bosin e keqpërdorimeve gjatë privatizimit dhe u bëri thirrje gjyqësisë e organeve të ndjekjes që të merren me seriozitet me këtë çështje dhe të përmirësojnë shkeljet eventuale.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka kundërshtuar sot mënyrën e këtij privatizimi, duke thënë se autoritetet nuk kanë denjuar as të bëjnë përpjekje për të përmirësuar mangësitë e shënuara. Krasniqi madje ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend. “Mungesa e ligjeve të mira, ekzistimi i liderëve mbi ligjin së bashku me krimin e organizuar, janë argumente të fuqishme se privatizimi nuk po bëhet për të mirën e publikut”, ka thënë Krasniqi.

Kjo legjislaturë, sipas tij, ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura, institucionet pastaj kanë dalë prej atyre zgjedhjeve dhe si të tilla nuk e kanë legjimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike. Duke përmendur edhe rastin e përfolur për afera korruptive në privatizimin e hotelit “Grand”, siç raporton ndërkohë Rel, Krasniqi tha se ky rast ka dëshmuar se “ka pasur sekserë, të cilët kanë kërkuar miliona para, por tash duhet kërkuar kush është boss-i privatizimit”.

“Dikush mund ta akuzojë të ndjerin Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, ai nuk ka pas truproja, që të jetë boss-i. Kush është boss-i i vërtetë? Këtë duhet ta tregojë gjyqësia dhe hetuesia”, ka thënë Krasniqi. Debati që po zhvillohet dëshmon më së miri arsyeshmërinë e vënies në rend të ditës të Kuvendit çështjen e privatizimit në Kosovë. (LajmeShqip.com)