Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 14:46

Tiranë – Ambasadorja gjermane në Tiranë, gjatë një interviste televizive, është shprehur se, zgjedhjet vendore të 8 majit janë shumë të rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe për progresin e qytetarëve të saj.
“Zgjedhjet e ardhshme vendore janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, e lidhur kjo me perspektivën e saj në BE, por dhe për zhbllokimin e situatës politike që ekziston prej një viti e gjysëm. Ato janë të rëndësishme para së gjithash për progresin e qytetarëve të këtij vendi”, tha Holtkemper.
E pyetur nëse fushata zgjedhore a duhet të shoqërohet me tone të ashpra, nisur nga retorika e ashpër politike që ekziston në vend prej një viti e gjysëm, ambasadorja gjermane u përgjigj se “Ndonëse është e natyrshme që në periudha fushatash, argumentet e paraqitura nga kundërshtarët politik të mund të përshkallëzohen, gjë që ndodh edhe në vende të tjera dhe se fushata duhet të zhvillohet në mënyrë të ndershme”, theksoi ajo.
“Kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhje, të prezantojnë programe konkrete që prekin drejtpërdrejt  qytetarin, sikurse mund të jetë furnizimi me ujë, kanalizimet, problemet e trajtimit të mbetjeve urbane etj, që janë çështje që prekin interesat e çdo individi në qytete dhe komuna”, u shpreh Holtkemper.
Ajo mbështet idenë e një debati televiziv mes dy kandidatëve, që do të konkurojnë për bashkinë e Tiranës, duke u shprehur se ai duhet të moderohet në mënyrë të mençur.   
“Duke pasur parasysh se Tirana është kryeqytet i vendit që ka një popullsi të madhe, do të ishte mjaft e rëndësishme që vetë kandidatët të paraqesin atë që mendojnë dhe programojnë për këto zgjedhje. Një debat televiziv për bashkinë e Tiranës do të kishte qenë interesant, por duhet të moderohet në mënyrë të mençur që të mos kalohet në tone të larta dhe të mprehta retorike. Ai duhet t’i përmbahet debatit me terma konkrete, duke paraqitur epërsitë, avantazhet dhe disanvatazhet e programeve të secilës palë”, u shpreh Holtkemper.
Ajo vlerësoi punën e deritanishme të KQZ-së në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, duke theksuar rëndësinë që procesi të zhvillohet në përputhje me ligjin. 
“Është e rëndësishme, që gjithë procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë korrekte brenda kuadrit ligjor, pra brenda kornizave kushtetuese. Jam e bindur se KQZ po bën përpjekjet e duhura për të ndërmarrë hapat administrativë dhe përkatës lidhur me afatet e zhvillimit të këtij procesi. Ne jemi optimistë dhe për mënyrën se si do të procedojë opozita në këtë proces. Do të ishte një sinjal jo shumë i këndshëm nëse opozita nuk do të zinte vendin e saj”, tha diplomatja gjermane.