Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 16:15

Prishtinë – Shefi i EULEX-it, Ksavier But de Marnak ka thënë të hënën se rasti i zyrtarit të këtij misioni, i cili është suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është marrë me seriozitet dhe nëse ka pasur shkelje të kodit të sjelljes, ajo sjellje do të dënohet.

Marnak ka theksuar se ai ndihet përgjegjës për çdo veprim të secilit punëtor të EULEX-it, mirëpo nuk mund ta kontrollojë çdo sjellje të tyren.

Këto komente Marnak i bëri pas takimit të Bordit të Përbashkët për Sundimin e Rendit dhe Ligjit, në të cilin janë diskutuar prioritetet kryesore për sundimin e ligjit në Kosovë.

I pyetur për rastin e zyrtarit të EULEX-it, për të cilin është raportuar se ka abuzuar me detyrën e tij si zyrtar, Marnak ka thënë se nuk mund të jap konkluzione pa u vërtetuar akuzat.

“Unë jam udhëheqës i misionit, nuk mund të them se nuk jam përgjegjës. Jam përgjegjës për gjithë misionin, por nuk mund të kontrolloj sjelljen e çdokujt. Tani po flasim vetëm për akuza që ende nuk janë vërtetuar dhe nuk dua të bëjë konkluzione, por nëse është nevoja do të marrim hapa”, ka thënë Marnack.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nga ana tjetër, ka thënë se vendimi i shefit të EULEX-it për suspendimin e këtij zyrtari ka qenë në përputhje me rregullat e brendshme dhe në përputhje me parimet e përgjithshme demokratike.

Sipas tij, veprimet individuale, nuk i prishin raportet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it.

Ndërkohë i pyetur për fillimin e hetimeve për pretendimet e eurodeputetit Dik Marti, i cili akuzon ish udhëheqësit e UÇK-së për trafikim me organe, shefi i EULEX-it, Marnak ka thënë se ka një hetim preliminar, mirëpo për hetime të mëtejme do të vendoset pas konsultave të vazhdueshme që janë duke ndodhur me Brukselin dhe me organizmat tjerë ndërkombëtarë.

“Ende nuk i kemi marrë marr vendimet finale, por sa iu përket hetimeve preliminare, ato kanë filluar. Ne jemi në kontakt edhe me Dik Martin dhe do të kemi kontakte shtesë gjithashtu”, ka thënë ai.

Duke folur për kthimin e gjyqtarëve shqiptarë në gjykatën në veri të Mitrovicës, Marnak ka thënë se për këtë çështje duhet të arrihet një marrëveshje politike në dialogun Prishtinë-Beograd që po ndodhë në Bruksel, dhe nëse ka kushte për kthimin e tyre, nuk ka arsye që mos të kthehen në punë këta gjyqtarë.

Nga ana tjetër, dyshi i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka folur edhe sa i përket kompletimit të Qeverisë së Kosovës pas marrëveshjes së re mes partnerëve të koalicionit. Ai nuk ka dhënë afate kohore, duke thënë se nuk është në dorën e tij, por ka shprehur bindjen e thellë se kryeministri Thaçi do të bëjë së shpejti një veprim të tillë dhe ky kompletim do të jetë një balancim brendapërbrenda Qeverisë, por gjithmonë në proporcion me fuqinë politike të secilit subjekt politik.