Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 11:16

Ankara -Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë. Ahmet Davutoglu, vlerësoi sot gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha, arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, në veçanti performancën e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë i ka qëndruar kësaj kohe të vështirë për ekonominë globale. 

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, ministri Davutoglu uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në takim u vlerësua edhe rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis dy vendeve gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliardë dollarë. Sipas tyre, kjo dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime.

Ministri Davutoglu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptarë në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare.

Kryeministri Berisha e falënderoi ministrin Davutoglu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t’i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj. (LajmeShqip.com)