Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 23:21

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj përmes një letre publike ka mohuar se qëndron prapa ndonjë objeti biznesor siq përflitet dhe prapa fajdeve e reketit.

Haradinaj nuk apostrofon se për cilin objekt bëhet fjalë dhe nuk tregon arsyen se pse pikërisht në këtë kohë po bën demantin publikë.

“Qytetarët e Kosovës, i garantoj me përgjegjësi të plotë morale e publike, se të gjithë ata që kërkojnë haraq dhe bëjnë reket, që ndërtojnë pa leje apo që në çfarëdo mënyre bijnë ndesh me ligjin, janë armiqtë e mi, të familjes sime dhe të subjektit politik të cilit i takoj”, potencohet në reagimin e Haradinajt.

Ai shton se gjithçka që e lidh emrin e tij me këto gjera është spekulim dhe ka për qëllim dëmtimin e tij e familjës së tij.

——————————————

Letra e plotë e Daut Haradinajt  

 

Për hir të sqarimit të opinionit publik, rreth spekulimeve të pandërprera në emrin tim, deklaroj se ndaj çfarëdo objekti në Kosovë, që fshihet prapa emrit tim, duhet të merren masat më të ashpra.

Ndërsa, ata që janë përgjegjës, do të mbahen përgjegjës për mosveprim në këtë drejtim.
Andaj, e përsëris se çdo ndërtesë apo objekt që përfolet, duhet të rrënohet.
Gjithashtu, deklaroj publikisht se çdo biznes që operon në Kosovë dhe që nuk iu përgjigjet ligjeve të Kosovës, duhet të mbyllet sa më parë, kurse personat përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë. Ata që janë përgjegjës dhe nuk veprojnë, duhet po ashtu të ndëshkohen, pavarësisht se kush janë ata.
Deklaroj haptas dhe me përgjegjësi të plotë se përpos asaj që është deklaruar në formularët zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, nuk posedoj asnjë objekt apo pronë tjetër.
Në këtë aspekt, për të gjitha përfoljet dhe mosveprimin e organeve kompetente, do t’i mbajë përgjegjësi pikërisht këto organe apo mekanizma përgjegjës, si të përfshirë në këto tema denigruese kundër emrit tim.
I thërras publikisht institucionet qendrore dhe ato lokale që t’i rrënojnë të gjitha objektet, të cilat spekulohet dhe përflitet se janë në emrin tim dhe që janë të ndërtuara pa leje.
Nëse këto institucione nuk e bëjnë këtë, atëherë konsideroj se përgjegjësit e këtyre institucioneve janë vetë të përfshirë në këto afera dhe se një ditë ata do të përgjigjen.
Iu bëj thirrje, gjithashtu, institucioneve të vendit që t’i arrestojnë dhe të ngrisin padi kundër të gjithë atyre që po vëjnë haraq, që po reketojnë dhe që janë të përfshirë në fajde, anembanë vendit.
Institucionet përgjegjëse e dinë mirë se kush janë këta njerëz, dhe nëse nuk veprojnë në këtë drejtim, atëherë vetë njerëzit që i udhëheqin këto institucione do të jenë përgjegjës dhe një ditë ata do të përgjigjen.
I thërras qytetarët e Kosovës që ta denoncojnë çdo rast të tillë, për të cilin kanë informacione apo që mund të jenë përballur edhe vetë me persona të tillë.
Qytetarët e Kosovës, i garantoj me përgjegjësi të plotë morale e publike, se të gjithë ata që kërkojnë haraq dhe bëjnë reket, që ndërtojnë pa leje apo që në çfarëdo mënyre bijnë ndesh me ligjin, janë armiqtë e mi, të familjes sime dhe të subjektit politik të cilit i takoj.
Andaj, gjithçka e tillë apo e ndonjë natyre tjetër, që thuhet e dhe spekulohet në emrin tim, nuk është e vërtetë dhe është rrenë me qëllime të këqija ndaj meje, familjes sime dhe kolegëve të mi.

Prishtinë, 20 qershor 2013

Sinqerisht,
Daut Haradinaj