Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 18:36

Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate zyrtare, shprehet se deklaratat e ish-ambasadorit, Xhon Uidhers, nuk përfaqësojnë qendrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

I pyetur nga Televizioni Kombëtar Klan, mbi deklratat e ish-ambasadorit në disa media shqiptare për vizionin e tij mbi Shqipërinë dhe nëse ato përfaqësojnë qendrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nëse janë miratuar nga qeveria e saj, Departamenti i Shtetit shprehet prerazi dhe këto janë qendrime personale.

“Xhon Uidhers nuk flet në emër të Departamentit të Shtetit apo të Qeverisë Amerikan. Siç ka thënë dhe ai vetë, deklaratat e tij reflektojnë qendrimet e tij personale. Pikëpamjet e tij apo dhe dhe të ish-zyrtarëve të tjerë, nuk janë reflektim i politikës së Shtetevë të Bashkuara”, thuhet në reagimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në këtë reagim zyrtar, lidhur me deklaratat që Uidhers ka dhënë pas largimit nga vendi ynë, theksohet se “Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe deklaratat e zyrtarëve aktualë amerikanë, përçojnë politikën e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Shqipërisë”.

Departamenti i Shtetit nënvizon se SHBA është një aleat i palëkundur i Shqipërisë dhe një mbështetës i fortë i aspiratave të Shqipërisë drejt integrimit europian. Ne jemi së bashku, aleatë në NATO”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Departamenti i Shtetit pohon se ka inkurajuar qeverinë shqiptare të përqafojë rekomandimet e Bashkimit Europian në lidhje me reformat, të cilat kërkojnë përpjekje realiste dhe të vazhdueshme për të përfshirë dhe opozitën dhe kompromisi të pranohet si pjesë e një procesi politik të natyrshëm.

Departamenti Amerikan i Shtetit, i bën thirrje opozitës shqiptare të jetë e përgjegjshme dhe konstruktive në politikën e saj. “Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje opozitës të jetë e përgjegjshme dhe reaguese, gjë që në një demokraci të pjekur kërkon pjesëmarrje të plotë, active dhe konstruktive në Parlament”.

Departamenti i Shtetit i bën thirrje si qeverisë shqiptare, ashtu edhe liderëve të opozitës, të gjejnë hapësirat për kompromis. Në këtë deklaratë, DASH nënvizon se “është koha e duhur për liderët politikë shqiptarë të bëjnë progres të dallueshëm në axhendën e reformave, në mënyrë që Shqipëria të eci përpara drejt së ardhmes së saj europiane”.