Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 14:58

Tiranë – Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për luftën kundër terrorizmit për vitin 2010, ku në pjesën për Shqipërinë vihet në dukje se janë bërë përmirësime.

Në këtë raport vjetor të DASH, thuhet se “Qeveria shqiptare ka punuar për ndryshimin e dispozitave kundër terrorizmit të Kodit Penal; ajo ka mbajtur të ngrira pasuritë e dy individëve dhe 13 fondacioneve e kompanive të përfshira në listën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si financuese të identifikuara të terrorizmit, si dhe ka krijuar një ligj për konfiskimin e pasurisë, të siguruar nëpërmjet veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë raporti vëren se Policia Kufitare e Shqipërisë ka përmirësuar vazhdimisht sigurinë në pikat kufitare dhe në zonat e gjera midis pikave zyrtare të kalimit kufitar dhe ka ngritur patrulla lëvizëse nëpër male përgjatë kufirit, që kanë çuar në arrestime dhe sekuestrime të narkotikëve.

Gjithashtu, raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon të bashkëpunojë me organizatat rajonale dhe multilaterale të fokusuara në luftën kundër terrorizmit.