Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 08:57

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, nuk ia kanë zgjatur dorën njëri-tjetrit në darkën tradicionale të shtruar të hënën mbrëma nga presidenti amerikan, Barack Obama, për kryetarët e të gjitha shteteve që po i përcjellin punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. 

“Koha Ditore” bën të ditur se  Jahjaga e Nikoliq, sikur edhe të gjithë përfaqësuesit e shteteve tjera pjesëmarrëse në darkë, të vetmen paraqitje para mediave e kanë pasur veç e veç, tek kanë shtrënguar duart me presidentin amerikan dhe zonjën e tij në vendin e pritjes. Zhvillimet brenda në sallën ku kanë qëndruar liderët kanë qenë të mbyllura për mediat. Burime të gazetës brenda delegacionit kosovar kanë konfirmuar se Jahjaga e Nikoliq nuk i kanë zgjatur dorën njëri-tjetrit, për shkak të mospranisë së medieve, por edhe për shkak se “nuk ka pasur ndonjë kërkesë të veçantë nga diplomatët ndërkombëtarë”. Gazeta ka provuar, por nuk ia ka dalë të kontaktojë zëdhënësin e presidentes, Arbër Vllahiu.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Nikoliq, në një deklaratë dhënë agjencisë serbe B92 ka thënë se “nuk ka ardhur në shprehje që t’ia zgjas dorën ndonjë përfaqësuesi të Prishtinës, të cilët si mysafirë po qëndrojnë në New York, as Atifete Jahjagës as Hashim Thaçit”.

“Hiç nuk është koha për këtë e as që ndiej nevojë, dhe as që do të ma falte këtë dikush në Serbi. Kur të arrijmë diçka me të cilën të gjithë do të jemi të kënaqur mund edhe t’ia zgjasim dorën njëri-tjetrit. Thaçit me të vërtetë nuk kam arsye t’ia zgjas dorën ndonjëherë”, ka thënë Nikoliq.    

Diplomatë ndërkombëtarë patën paralajmëruar se ekziston mundësia që presidenti i ri serb që po e refuzon takimin me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të përshëndetet me presidenten Jahjaga, duke shënuar kështu përshëndetjen e parë mes liderëve të dy vendeve që prej shpalljes së pavarësisë.

Presidenti i Serbisë pritet që të enjten të takojë përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton, e cila po e përgatit nisjen e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Ashton ka takuar të hënën kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ndonëse Qeveria e Kosovës e ka injoruar temën e dialogut në njoftimin që ka lëshuar për këtë takim, konfirmimin se takimi ka qenë për dialog e ka dhënë kabineti i përfaqësueses së lartë të BE-së.

Sipas një komunikate përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka deklaruar në New York, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se para Prishtinës dhe Beogradit ndodhen vendime të rënda. “Përfaqësuesja e lartë dhe kryeministri i Kosovës Thaçi kanë vazhduar konsultimet për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në njoftimin për media që e ka lëshuar zyra e përfaqësueses së lartë. (LajmeShqip.com)