Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 15:54

Beograd – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi më 17 janar të vitit 2013 me siguri për herë të fundit do të bisedojë me Ivica Daçiqin pasi që deri më 5 shkurt të vitit të ardhshëm në krye të Qeverisë së Kosovës duhet të vijë Ramush Haradinaj, pohon analisti politik Fatmir Sheholli për gazetën “Danas”.

“Sipas dinamikës së planifikuar të rikomponimit të qeverisë, të cilën e synojnë partitë politike shqiptare dhe bashkësia ndërkombëtare, brenda fundit të janarit duhet të përfundojnë zgjedhjet në PDK në të cilat Thaçi duhet ta rikonfirmojë mandatin e kryetarit. Menjëherë pas kësaj bëhet rikomponimi i Qeverisë. Haradinaj bëhet kryeministër, e Thaçi në Kuvend do të zgjidhet president i Kosovës. Nëse Thaçi nuk zgjidhet president, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në maj ose në shtator të vitit 2013”, thotë Sheholli.

Ai thekson se në qeverinë e Haradinajt nuk do të jetë vetëm një parti serbe – SLS, por edhe Partia unike serbe. 

Gazeta Danas jozyrtarisht ka marrë vesh se Haradinaj tashmë është takuar me përfaqësues të Partisë unike serbe dhe me ata të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë.

Analisti politik Dushan Janjiq, e konsideron reale kombinimin diplomatik sipas së cilit Prishtinën në mesin e janarit në Bruksel do të mund ta përfaqësonte Ramush Haradinaj.

Janjiq thotë se ndërrimi në krye të Qeverisë së Kosovës ishte planifikuar për në shkurt, por pohon se sjellja e Beogradit javëve të fundit i ka bindur edhe SHBA e Gjermanisë, si skeptikët më të mëdhenj për rokadën politike në Prishtinë, se është koha që Ramush Haradinaj të marrë postin e kryeministrit e Thaçi, nëse merr shumicën në parlament, të bëhet president i Kosovës.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq në prag të vizitës në Banjallukëka ka bërë të ditur se është i gatshëm të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo ftesë e imja është adresuar publikishit, edhe përmes kabinetit të saj dhe përmes Brukselit. Unë jam i gatshëm të takohemi kudoqoftë dhe kurdoqoftë, le të zgjedhë, ka porositur Nikoliq. (LajmeShqip.com)