Lajme Shqip Friday, 11 April 2014 12:41

Mediat greke kanë publikuar fakte të reja në lidhje me vdekjen e Ilia Karelit. Mësohet se e përditshmja “Iefimerida” ka publikuar analizat e autopsisë të kryera në laboratorin e Athinës, ku tregojnë shkaqet e vërteta të Karelit.

Mësohet se shkak kryesor që solli fundin fatal për të dënuarin shqiptar në burgjet e Greqisë, kanë qenë goditjet e forta që ka marrë në kraharor, për shkak se ai vuante nga një dëmtim në zemrës, që prej kohësh.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore greke, vdekja e Ilia Karelit është shkaktuar nga një sëmundje e mëparshme kardiake që vuante shqiptari, e shkaktuar edhe nga thyerja e kraharorit.

 Gjithashtu, mjekoligjorët grekë përjashtojnë faktin se mbi Ilia Karelin është përdorur metoda e elektroshokut, duke theksuar se vdekja i ka ardhur nga goditjet në kraharor, kjo dhe për faktin se vuante nga një sëmundje në zemër.

Gjithashtu, të nxirat në pëllëmbën e dorës së djathtë shpjegohen për faktin se kishte një plagë të vjetër.

“Gozhda ime u këput. Gardianin që i kisha dhënë 60 mijë euro që të më rregullonte tri ditë leje e vrava aksidentalisht. Kisha një lugë që e kisha bërë si thikë. Unë e qëllova për ta trembur, për ta çarë, por goditja e mori keq dhe ai vdiq. Mua tashmë do të më vrasin, s’më lënë të gjallë”.

Ilia Kareli e dinte se do ta vrisnin

Sot është publikuar edhe mesazhi që Ilia Kareli i dërgoi në telefonin celular kushëririt të tij, ditën që vrau gardianin grek, Jorgos Cironis, në burgun e Malandrinos.

Teksa vuante dënimin në burgun e Malandrinos, Kareli ka pasur edhe të tjera komunikime telefonike me kushëririn e tij, pasi sikurse thekson ai, mbante celular në qeli.

“Gozhda ime u këput. Gardianin që i kisha dhënë 60 mijë euro që të më rregullonte tri ditë leje e vrava aksidentalisht. Kisha një lugë që e kisha bërë si thikë. Unë e qëllova për ta trembur, për ta çarë, por goditja e mori keq dhe ai vdiq. Mua tashmë do të më vrasin, nuk më lënë të gjallë”.

Orët e tmerrit të Karelit

Për herë të parë dje mediat greke publikuan pamjet shokuese të filmuara nga kamerat e sigurisë në burgun Nigritas, në qelinë e të cilit i dënuari shqiptar Ilia Kareli ndërroi jetë si pasojë e torturave nga gardianët e burgut, në prani edhe të drejtorit.

Pamjet tregojnë momentin nga mbërritja e Karelit në burg, duke fiksuar edhe dy orët e gjysmë të tmerrit të torturave në dhomën “frigorifer” të burgut, si dhe vendosjen në qelinë ku ndërroi jetë. Video e publikuar nga disa media greke shfaq momentin e mbërritjes së 42-vjeçarit në burgun e Nigritas, pas transferimit nga burgu Malandrinos, ku Kareli, me emrin e vërtetë Kudret Kume, vrau një gardian.

Nga këto pamje del në pah se, dhuna vdekjeprurëse ndaj Karelit ka nisur që në burgun Malandrinos. Kjo pasi, në videon e publikuar menjëherë pas mbërritjes së Karelit në burgun Nigritas, 42-vjeçari është fotografuar nga një gardian, ku është fiksuar syri i nxirë dhe trupi i mavijosur. Mavijoset dhe të nxirat në trupin e Karelit janë shenja të një dhune të qartë, madje edhe djegiet në duart që janë deklaruar se janë kryer me elektroshok. Por, torturat kanë vijuar edhe në këtë burg.

Ajo çka bie në sy nga pamjet e kamerave të sigurisë, është fakti që transferimi i Karelit dhe procedurat e kryera ndaj tij janë bërë në prani të njerëzve të shumtë, si civilë edhe gardianë. Në video duket edhe drejtori i burgut të Nigritas, i cili është në mesin e gardianëve që shoqërojnë Karelin përpara se ai të dhunohej për vdekje nga 15 prej tyre. Madje vetë drejtori i burgut i bën me shenjë gardianëve për ta futur fillimisht Karelin në dhomën e torturave, e megjithatë, drejtori është lënë i lirë. Më tutje dalin disa oficerë trupë mëdhenj, të cilët futen në dhomën ku indikonte drejtori.

Kareli ka mbërritur në burgun e Nigritias rreth orës 16:00 të 27 prillit, është mbajtur në ambientet e korridorit të burgut, ku dhe është fotografuar, dhe nga ky moment për më shumë se dy orë është torturuar në “dhomën e frigoriferit”. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar të gjitha lëvizjet në korridor të gardianëve, të cilët futen dhe dalin nga “dhoma e frigoriferit”. Është shfrytëzuar pikërisht kjo dhomë, për të kryer torturat makabre ndaj Karelit, për faktin se nuk monitorohet nga kamerat.

Pamjet dokumentojnë akuzat e ngritura nga Prokuroria greke për gardianët, atë të ushtrimit të dhunës me batanije të lagura. Kamerat shfaqin momentin, kur një gardian hyn në dhomën e torturave, duke tërhequr një batanije.

Pas 2 orë e gjysmë goditjesh e torturash ndaj të dënuarit shqiptar, tortura të cilat i shkaktuan vdekjen vetëm disa orë më pas, Ilia Kareli është transferuar në qeli. Kur ora shënon 18 e 30 minuta shfaqen torturuesit, të cilët tërheqin zvarrë Karelin për ta çuar në qelinë e tij. Pamjet janë të tmerrshme. Dhoma e torturave dhe qelia ndodhen në të njëjtin korridor, dhe në momentin e transferimit në qeli, duket edhe pafuqia e Karelit për të ecur vetë në këmbë, teksa mbahet nga gardianët, pa kanatjeren e zezë me të cilën erdhi në burg dhe me pantallonat që janë gati duke i rënë.

Kareli më tej është lënë në qeli i zhveshur. Pas rreth 1 ore, në 16 e 25 minuta një gardian hyn në qeli për të sjellë ushqimin, teksa Kareli dergjet i shtrirë dhe i palëvizur, ushqim të cilin i dënuari shqiptar edhe pse e kishte kërkuar, nuk mundi ta shijonte për shkak se ndërroi jetë nga dhuna makabere ndaj tij. Në fund, në mesnatë, në kamera shfaqet një barelë, e cila hyn në qelinë e Karelit, për të marrë trupin e pajetë.

 

Ngjarja vinte pak ditë, pasi i dënuari shqiptar me emrin e vërtetë Kudret Kume vrau  një nga gardianët e burgut të Melandrinos, pasi i kishte dhënë 60 mijë euro për tre ditë leje që të takonte nënën e tij të sëmurë.