Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 16:10

Prishtinë – Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se deri më tani nuk është diskutuar se si do të duket logoja në fletëvotimet e 3 nëntorit.

“Me përgjegjësi të plotë mund të them se nuk është diskutuar kurrë çështja e logos dhe as që ka qenë pjesë e marrëveshjes. Mund të them se kjo marrëveshje, e cila është në fuqi, nuk flet për ndryshimin e simoboleve apo logove, por po ashtu nuk mund të parashikoj nëse ato do të gjenden në fletëvotime”, ka thënë Daka për mediat serbe, transmeton REL.

Ajo po ashtu ka kujtuar se Kosova dhe Serbia, më 19 prill, kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila bazohet në ligjet e Kosovës, përkatësisht “pika 11 e kësaj marrëveshjeje parasheh që zgjedhjet në Kosovë të mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë është e papranueshme që fletëvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë të kenë simbolet shtetërore të Kosovës.