Lajme Shqip Tuesday, 24 June 2014 21:11

E përditshmja britanike Daily Mail, në artikullin kushtuar Shqipërisë për marrjen e statusit, deklaroi se Shqipëria hoqi pengesën e parë, në rrugën e saj të gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se vendi mori statusin të vendit kandidat, në përpjekjen e katërt të tij. 

Daily Mail shkruan se Shqipëria ka dështuar për të fituar e statusin e lakmuar tre herë që nga viti 2009. 

Vendimi mbi statusin është pengesa e parë e madhe që kalon Shqipëria drejt anëtarësimit në BE- bllokut prej një miliard e gjysmë njerëz që formojnë ekonominë më të madhe në botë. 

“Megjithatë, statusi i kandidatit nuk të çon automatikisht  në anëtarësim. Për këtë, Shqipëria do të duhet  të përmbushë kërkesat në luftimin e krimit dhe korrupsionit, dhe sjelljen e gjyqësorit dhe administratës drejt  standardeve evropiane, gjë e cila mund të zgjasë me vite”, shkruan Daily Mail.

Si pjesë e përpjekjeve për të treguar seriozitetin në angazhimet e saj, policia shqiptare javën e kaluar mori kontrollin e fshatit të paligjshëm jugor Lazaratit, një burim kryesor i prodhimit të marijuanës, tha e përditshmja.

Ndërkohë, kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili erdhi në pushtet në qershor 2013, është zotuar të çojë vendin drejt një anëtarësimi të plotë në BE. Duke publikuar foto nga fjalimi i sotëm i Ramës në konferencën për shtypin, Daily Mail shkruan se Rama vlerësoi opozitën, duke thënë se marrja e statusit nuk është arritje ekskluzive e qeverisë.