Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 16:29

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka shprehur bindjen se KB, nëse një gjë e tillë kërkohet prej saj, do të refuzojë pranimin e Kosovës në UNESCO.

Sipas tij, KB tashmë kanë refuzuar të përcjellin kërkesën e Kosovës në UNESCO dhe se tani është punë e sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate si të veprojë.

“Kosova nuk përmbushë as kushtet formale, as ato thelbësore juridike për pranim në UNESCO”, transmeton Koha.net deklaratën e Daçiqit për mediet serbe.

Duke rikujtuar se katër margaritarë në Kosovë janë në listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s – Graçanica, Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit dhe Shenpremtja e Levishkës, janë shpallur të rrezikuara, vazhdoi: “Nga kush dhe prej çka?”, për t’u përgjigjur “Nga ata që tani duan të bëhen anëtarë të UNESCO-s” dhe duke shtuar se kjo do të ishte “kulmi i dyfytyrësisë”.

“Nuk mund të flisni për ISIL-in (Shtetin Islamik) se janë terroristë kur shkatërrojnë trashëgiminë kulturore islame ose të religjioneve të tjera në botë, kurse këtu të shpërbleni me anëtarësim në UNESCO ata që djegin kisha e thyejnë kryqe”, shprehet Daçiq.

Sipas tij UNESCO është një nga ato organizata në të cilat Kosova synon anëtarësimin “në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet dhe të gjitha parimet, madje edhe me Marrëveshjen mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës”.

Ai u ka bërë thirrje shoqërisë serbe, Kishës Ortodokse Serbe, Akademisë Serbe të Shkencave, Amës Serbe dhe OJQ-ve që të përfshihen në luftën kundër përpjekjes së Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim KE i UNESCO duhet t a shqyrtojë në tetor, ndërsa Kuvendi i përgjithshëm në nëntor.

 

Nga 58 anëtare të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s 33 kanë njohur pavarësinë e Kosovës.