Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 11:01

Beograd-Ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç akuzon qeverinë e Kosovës se po lobon kundër statusit kandidat të Serbisë.

Sipas tij qeveria e Kosovës i ka dërguar letër vendeve anëtare të BE-së, përmes së cilës kërkohet që mos t’i jepet Serbisë kandidatura për anëtarësim në union.

“Serbia është fajtore për mossuksesin në dialog”-thuhet në këtë letër që sipas Daçiç, Prishtina i ka dërguar vendeve anëtare të BE-së, të cilat në fund të shkurtit duhet të vendosin për kandidaturën serbe.

“Në letër thuhet se është arritur përparim i kufizuar në dialog dhe theksohet nungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Ivica Daçiç.

Ai është shprehur se përmes letrës i bëhet thirrje vendve anëtare që ta kenë parasysh këtë, kur të diskutojnë vendimin për dhënien e kandidaturës Serbisë në fund të këtij muaji.

Daçiç e ka quajtur këtë letër presion mbi Beogradin dhe sipas tij me këtë Prishtina ka treguar se nuk dëshiron kompromis me Serbinë.

Në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, u bëri thirrje publikisht vendeve të BE-së, që të mos e shpërblejnë Serbinë me statusin e kandidatit, ndërkohë që po ngec në zbatimin e marrëveshjeve dhe po mbështet edhe më tej “strukturat kriminale në veri të Kosovës”.