Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 13:23

Tiranë (PLOTESUAR 20:20)-Ministria e Punëve të Jashtme reagoi sot mbi zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës, jug të Serbisë.Me anë të një deklarate për shtyp, MPJ shpreh shqetësim për bastisjet dhe arrestimet në fshatrat shqiptare në afërsi të Bujanovcit, ngjarje të cilat ndodhin në prag të heshtjes zgjedhore.

“Rikthimi i retorikave me akuza për të ashtuquajturat krime lufte në Kosovë, gjatë procesit zgjedhor dhe me synim për përfitime politike, dëmton standardet demokratike dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend”, thuhet në deklaratën e MPJ-së. 

 “MPJ gjykon se akte të tilla, nuk i shërbejnë mirëkuptimit dhe bashkëjetesës paqësore ndërmjet komuniteteve etnike në Serbi dhe as nuk janë në funksion të forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit e integrimit rajonal dhe frymës së proceseve integruese në BE”, thuhet në deklaratë. 

Më poshtë mund të ndiqni videon e arrestimeve te shqiptarëve në Bujanoc.  Arrestimet ne Bujanovc   (LajmeShqip.com)

**********************************

Prishtinë (PLOTESUAR 19:30)-Qeveria e Kosovës, në një komunikatë për media dhënë pak më parë, dënon aktin e ulët të arrestimit të qytetarëve shqiptarë në Komunën e Bujanocit.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se këto veprime të vazhdueshme të qeverisë së Serbisë janë edhe një provokim i rëndë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Qytetarët shqiptarë në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të atakuar nga presionet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përmes proceseve të montuara politike, që kanë për qëllim dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre dhe krijimin e pasigurisë së përgjithshme në ato territore të banuara me shqiptarë.(LajmeShqip.com)

****************************

Preshevë (PLOTESUAR 15:30)- Deputeti shqipar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, sot tha se arrestimi i shqiptarëve të dyshuar për krime lufte në vitin 2001 është vazhdim i terrorit shtetëror kundër komunitetit shqiptar.

Halimi tha se terrori filloi në mënyrë agresive në dhjetor të 2008-ës, për të vazhduar në korrik të 2009-ës dhe se kjo është arsyeja pse qindra familje shqiptare kanë emigruar nga Lugina e Preshevës. “Në komunën e Medvegjës nga 5 mijë e 500 shqiptarë kanë mbetur vetëm 600″. Sipas tij, nuk është rastësi që ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq ka nisur arrestimet dy ditë para zgjedhjeve, më 6 maj dhe se veprimet e tilla mund të kenë pasoja për tërë rajonin.

Ai shtoi se ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk janë më të sigurt në Serbi, edhe pse me përfundimin e konfliktit të 2001-ës, atyre iu garantua amnistia. Ai tha se shqiptarët janë të shqetësuar rreth kërcënimeve të Daçiqit se arrestimet do të vazhdojnë. (LajmeShqip.com)

**************************

Prishtinë -Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, u ka thënë gazetarëve në Vranjë se “policia ka arrestuar në jug të Serbisë tetë persona, pesë nga të cilët nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve”.

Në një takim me gazetarët, Daçiç ka thënë se aksioni i xhandarmërisë serbe realizohet me urdhëresën e Prokurorisë për krime lufte. Dy nga tetë personat janë arrestuar se kanë rezistuar gjatë bastisjeve, kurse i treti për posedim armësh, ka thënë ministri serb.

Sipas tij, nën dyshimet për krime lufte janë arrestuar Elhami Salihi, Mustafa limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurllahi. Prokurori i Serbisë, për krime lufte, Vladimir Vukçeviç, ka thënë se pesë shqiptarët e arrestuar, dyshohen për krime lufte, gjatë luftës së vitit 2001, në Luginën e Preshevës.

Gazetarëve në Beograd, Vukçeviç u ka thënë se arrestimet ende po vazhdojnë, por nuk ka pranuar të saktësojë se për çfarë krime luftesh bëhet saktësisht fjalë. Të gjitha arrestimet njoftohet se janë kryer në komunën e Bujanocit.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha se tetë shqiptarë, nga Bujanoci, Tërnoci dhe Breznica janë arrestuar nga policia serbe. Ai tha se autoritetet fillimisht kanë thënë se ata akuzohen për krime lufte, por më vonë, Kamberi citon ministrin serb të rendit, Ivica Daçiç, të ketë thënë se disa nga ta akuzohen për “krijimin e një formacioni ushtarak për shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia”.

Kamberi i cilësoi këto arrestime si tërësisht politike. “Këto janë akuza politike, dhe koha kur kanë zgjedhur që të frikësojnë popullatën në prag të zgjedhjeve, flet për motive politike”, ka thënë Kamberi, duke shtuar e gjatë bastisjes së familjeve shqiptare, policia nuk e ka treguar urdhëresën e gjykatës. (K.N)