Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 09:09

Prishtinë – Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Tomas Countryman, i konsideroi një hap të parë pozitiv marrëveshjet e para të arritura në bisedimet teknike Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) Countryman shpreh bindjen se marrëveshjet Prishtinë-Beograd nuk paraqesin asnjë lloj rreziku për Kosovën.

“E shoh si një hap të parë pozitiv. Nuk mund të teprojmë dhe të pandehim se kjo do të zgjidhë të gjitha problemet, por është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Sërbisë dhe të Kosovës. Ne mirënjohim faktin që të dy negociatorët ishin të fortë, por edhe kreativë në qasjet e tyre ndaj problemeve. E përgëzojë edhe punën e zotit Kuper dhe kolegëve të tjerë në BE, të cilët ishin të përkushtuar në arritjen e këtyre tri marrëveshjeve”, tha z. Countryman.

Ai i uroi të ketë zgjidhje edhe më të mëdha edhe për probleme edhe më të mëdha, “të cilat besoj që do të rezultojnë edhe nga këto bisedime në të ardhmen e afërt, zgjidhje që do të përmirësojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe të Sërbisë”.

I pyetur për dykuptimësinë e disa shprehjeve në marrëveshjet e nënshkruara midis të dy vendeve, Countryman tha se “mund të ketë kompromise dhe mund të ketë edhe dykuptimësi. Dhe, kjo është vet natyra e këtyre bisedimeve, e këtij dialogu”.

Por, ai siguroi se SHBA-të “kurrë nuk do të bënin asgjë që do të inkurajonte Kosovën që ajo të angazhohet në një proces dhe të pranonte marrëveshje, të cilat në ndonjë mënyrë do ta cenonin apo dëmtonin pavarësinë, sovranitetin apo integritetin territorial të Kosovës. Ne atë nuk do ta bënim. Dhe, në këto marrëveshje nuk ka ndonjë kërcënim të tillë. Në këto marrëveshje nuk ka as edhe një fjalë që cenon Kosovën, apo ndonjë kthim mbrapa në progresin që Kosova ka arritur”.