Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 08:45

Prishtinë – Prishtina dhe Beogradi duhet të koncentrohen në dialog dhe të tejkalohet situata anormale që është krijuar në veri të vendit, tha ndërmjetësi i BE-së në bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Robert Cooper.
Kuper tha se gjërat nuk janë më si më parë dhe palët duhet të kuptojnë se nuk duhet të priten befasi, por dialog serioz që çon në zgjidhjen e problemeve.
“Çfarë ne duam është diçka që është e parashikueshme dhe ne nuk duam surpriza. Ndoshta diçka e mirë do të vijë prej kësaj nëse secili e kupton se këto lloj surprizash, hapash, dhe ngjarjesh të marra pa ndonjë përqendrim të duhur në situatën, janë potencialisht të rrezikshme”, ka thënë ai.

“Ne tashmë e kemi gjetur rrugën në këtë çështje dhe le të koncentrohemi në dialog, të fokusohemi në komunikim konkret mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së, kështu që le të vazhdojmë të bisedojmë, të jemi të parashikueshëm në situatë”, ka theksuar Cooper.
“Le të provojmë që në secilën pjesë të vendosen rregulla të pajtueshme, që secili të dijë se si të jetojë jetën e tij. Le të mos ketë më kriza dhe të mos i nxisim ato. Le të ketë më shumë dialog dhe vetëm dialog”, është shprehur ai. 
“Unë jam shumë i kënaqur me atë që është arritur rreth veriut dhe mendoj se qeveria e Kosovës dhe ajo Serbisë duhet të përgëzohen për seriozitetin dhe fleksibilitetin që kanë treguar në këtë çështje që është nevojitur të arrihet”, ka thënë Cooper.