Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 11:23

Prishtinë – Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet Prishtinë-Beograd, britaniku Robert Cooper, u ka rekomanduar dy shefave të ekipeve negociatore, Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviç, që të informojnë saktë opinionin në Kosovë dhe Serbi për marrëveshjet, atë që është arritur në Bruksel, në mënyrë që të mos ketë konfuzione.

Cooper, konstaton se marrëveshjet e arritura janë të qarta dhe me këtë rast u rekomandon kryesuesve të të ekipeve negociatore, Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviç, të informojnë opinionin për to.

Cooper në një intervistë ekskluzive për “Zëri” thotë se i kupton të dy palët që të shprehin këndvështrimet e tyre, por marrëveshjet janë të qarta dhe se Tahiri e Stefanovic, sipas tij, e kanë përgjegjësi të informojnë publikun e tyre.

Anglezi Cooper paralajmëron se marrëveshja për regjistrat civilë, ajo për liri të lëvizjes dhe marrëveshja për targat, nuk do të jenë të vetmet në procesin negociues. Në takimin e radhës që pritet të mbahet para pushimeve verore, ai thotë se mund të ketë marrëveshje të reja, por nuk e specifikon se për cilat çështje.