Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 14:58

Bruksel – Marrëveshja për vulat doganore dhe kadastrat e arritur në Bruksel, në raundin e gjashtë të negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës, është me rëndësi të madhe posaçërisht për qytetarët e rëndomtë, deklaroi ndërmjetësuesi i BE-së në negociata Robert Cooper.

“Marrëveshja për kadastrat është posaçërisht e rëndësishme për secilin i cili posedon tokë ndërsa vulat doganore janë të rëndësishme për gjithësecilin  në Kosovë i cili bën projekte dhe dëshiron t’i zbatojë në Serbi”, tha Cooper.

Në deklaratën në sajtin e KE-së Kuper përkujton se gjatë tre viteve të kaluara autoritetet serbe nuk i kanë njohur vulat e doganës së Kosovës.

“Marrëveshja do të mundësojë tregti në rajon dhe do të bëjë që rajoni të bëhet gjithnjë e më evropian”, theksoi Cooper.

Sipas tij, kjo punë ende nuk ka përfunduar dhe pasojnë çështje për zgjidhje siç janë telekomunikimet dhe energjetika.

Pas bisedimeve të djeshme të shefave të ekipeve negociuese në Bruksel, BE-ja njoftoi se marrëveshja e arritur është “hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve në rajon dhe mundëson liri të lëvizjes së mallrave në pajtim me vlerat evropiane”.