Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 08:09

Shoqëria civile e ka dorëzuar dje te përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe te ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, peticionin me 54 mijë e 829 nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për liberalizim të vizave.

Të gjithë këto nënshkrime janë mbledhur brenda një muaji dhe përmes tij qytetarët e Kosovës kanë dashur që t’i dërgojnë mesazh Bashkimit Evropian se nuk janë të kënaqur me izolimin.

“Na trajtoni me drejtësi” dhe “Dua që të garoj ndërkombëtarisht, por ku është liria ime e lëvizjes?” kanë qenë dy prej motove të këtij peticioni brenda këtij muaji. Sidoqoftë, në pranimin e dokumentacionit nga përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, tashmë ka nisur të shihet drita në fund të tunelit për liberalizimin e vizave.

 “Mesazhi që unë mundem t’ua kthej qytetarëve të Kosovës, tani pasi pashë dhe dëgjova lidhur me ndjenjat e kosovarëve, është se më duhet të rikonfirmoj se ka shpresë dhe se po shihet drita në fund të tunelit”, ka thënë Zhbogar. Sidoqoftë, përfaqësuesi i BE-së ka thënë se kjo është simbolike, por është e rëndësishme që është një proces që po vazhdon. /Zeri