Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 11:52

 

Qeveria e re, prej pak ditësh në detyrë, është ende e impenjuar në krijimin e stafit, në emërimet e drejtorëve të rinj apo me përgatitjen e zyrave të punës. Por pranë problemeve logjistike dhe teknike, qeveria e Edi Ramës është duke u përballur edhe me një temë shumë delikate: sigurinë informatike dhe përgjimet e paligjshme. Dyshimi i ngritur është i fortë: godina e qeverisë dhe zyrat e ministrive mund të jenë “të kontaminuara” me përgjues, dmth me “çimka” dhe “mikrospiunë”, të fshehur nga administrata e mëparshme,  e akuzuar shumë herë për përgjime joligjore.

 

“Kemi thirrur ekspertë për të kryer një kontroll – pohon për “Shqiptarja.com” një funksionar, i cili dëshiron të mbetet anonim – por sigurisht që kjo nuk mjafton. Për më tepër, nuk mund të kemi ende besim në besnikërinë e gjithë strukturave të Shtetit, e kësisoj duhet t’i hedhim hapat me kujdes të madh”. Teksa thotë këtë, duket se ka parasysh strukturat e SHISH, të cilat normalisht janë të ngarkuara për të kryer këto kontrolle antispiunazhi, por tek të cilat, me sa duket, administrata e re socialiste ende nuk ka besim.

Ndryshimet e mëdha këto ditë në selinë e Këshillit të Ministrave; të mobiljeve, pikturave dhe perdeve të hequra mund të kenë si qëllim të dytë edhe një pastrim radikal, me themel, që bashkë me pluhurin dhe sendet e vjetra synon të lëvizë edhe përgjueset.

 

Po kontrollohen edhe çelësat e mureve, ambazhurët, linjat telefonike, moketet, por edhe mobiljet, karriget, divanët e deri te fotokopjet: ka disa që përveçse fotokopjojnë dokumentet, fotografojnë përmbajtjen, duke ruajtur një kopje të materialit në një memorje virtuale, e cila më pas mund të “shkarkohet” edhe nga larg, duke përdorur një skedë të thjeshtë telefonike.

 

Problemi i sigurisë dhe frika e përgjimeve ilegale në dëm të anëtarëve të kabinetit të ri nuk i përket vetëm rrezikut të përgjimeve të telefonatave apo bisedave që bëhen në zyrë. Një shqetësim i madh i përket edhe rrjetit telematik të kompjuterëve, ku është më e lehtë që të fshihen sisteme të përgjimit, qoftë edhe në mjedis (përmes një kompjuteri është shumë e lehtë të dëgjosh fshehur atë që thuhet në zyrën ku është instaluar kompjuteri), por edhe sisteme të përgjimit të e-maileve, ku përfshihen dokumente, të cilat shkruhen në kompjuter dhe janë të paracaktuara për mbledhje të rezervuara.

 

Për të pasur një siguri absolute, kompjuterat do të kontrollohen një nga një, qoftë fizikisht, e sidomos edhe në programet e tyre. Në një kompjuter mund të fshihen software specialë (quhen keylogger dhe janë të padukshëm për sytë e njeriut joekspert), të aftë për të dërguar së jashtmi në mënyrë të fshehtë përmes rrjetit të internetit gjithë materialin përmbajtësor në atë kompjuter, duke përfshirë tekste dokumentesh, passëord të shtypur, fotografi dhe deri listën e faqeve të vizituara në web.

 

“Kontrolli i rrjetit informatik është një përparësi absolute – rrëfen më tej funksionari për “Shqiptarja.com” – por për të qenë të sigurt se nuk janë fshehur sisteme spiunimi ndaj punës sonë nevojitet shumë kohë dhe sidomos nevojiten ekspertë të ndershëm”.

 

Frika e përgjimit natyrisht nuk i përket vetëm selisë së Kryeministrisë, por edhe gjithë institucioneve ministrore (sidomos asaj të Brendshme, të Jashtme, të Mbrojtjes, të Financës), ku prej ditësh me pak njerëz dhe mjete ende të disponueshme po kryhen kontrolle teknologjike. Evitimi i përgjimeve të paligjshme është një përparësi për qeverinë e re jo vetëm për të garantuar konfidencialitetin e brendshëm, por edhe për të respektuar detyrimet mbi sekretet, vënë nga marrëdhëniet ndërkombëtare.