Lajme Shqip Friday, 20 June 2014 11:30

Sipas , policisë nga kontrollet e zhvilluara,  në ambientet mbi depon e ujit në qendër të fshatit Lazarat, janë sekuestruar një antitank, një mitraloz dhe sasi e madhe fishekësh e municioni mitraloz, antitanku, e armësh të tjera.

Gjithashtu bëhet e ditur se po vijojnë hetimet për kapjen e personave, të cliët qëlluan me armë forcat e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit bën të ditur se, është prezente në të gjithë komunën e Lazaratit, duke mbajtur nën mbikëqyrje situatën dhe duke ofruar rend e siguri për banorët. 

Polica ka mundur të arrestojë shtetasin Telha Gjyli, pasi gjatë kontrollit të zhvilluar nga strukturat e policisë gjatë ditës së djeshme në banesën e tij u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 590 fishekë, nga të cilët 520 fishekë Ak-47 dhe 70 fishekë pistolete TT. Po ashtu i janë sekuestruar dhe 23 karta telefonike sim, 4 telefona celular, dy targa të huaja etj. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë.

Rezultate të operacionit në total

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e një sasie mbi 23 tonë e 404.1 kg kanabis sativa, si dhe të rreth 81.300 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. 

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, nga të cilat 17 armë të rënda, si dhe 2 armë gjahu.

Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 130 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 15 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone apo mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.