Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 11:26

Prishtinë (PLOTESUAR 31 TETOR 12:00)- Hillari Klinton sjellë qëndrimin e prerë amerikan për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.

“SHBA-të janë të prera plotësisht për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”. Kështu ka deklaruar në Prishtinë sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton e cila së bashku me përfaqësuesën e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Ketrin Ashton takuan liderët e shtetit të Kosovës, presidenten Jahjaga dhe kryeministrin Thaçi. Në një konferencë të përbashkët për media, diplomatja amerikane tha se SHBA-të plotësisht mbështesin aspiratat e popullit të Kosovës për integrim në BE dhe në institucionet euroatlantike. Ajo theksoi se dialogu politik i cili ka filluar duhet të vazhdojë pa prekur integritetin territorial të Kosovës: “SHBA-të janë të prera plotësisht për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës për të parë sundimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Ne kundërshtojmë cdo lloj bisedimesh për ndryshime të tërësisë territoriale apo për statusin. Kufijtë e Kosovës së pavarur janë të qartë dhe të caktuar përgjithmonë”.Klinton, gjithashtu ka inkurajuar kryeministrin Thaqi që ka ndërmarrë një rrezik politik për takimin që ka pasur me kryeministrin serb, por këtë e ka quajtur vendim të drejtë, kurajoz dhe të mençur.

Edhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së Kettrin Ashton e ka vlerësuar jo të lehtë dialogun, por të domosdoshëm për integrimin e dy vendeve në BE. Dialogu që e kemi filluar nuk është i lehtë, as për kryeministrin e Kosovës as për atë të Serbisë. Unë e di se për popullin e Kosovës me historinë dhe frikën që keni as për ju nuk është e lehtë, por u bëjmë thirrje që ky dialog është për normalizimin e jetës, ashtu që qytetarët që jetojnë në veri të mund ta jetojnë jetën e tyre, duke ndjerë se janë pjesë e asaj shoqërie. Kjo arrihet duke u ulur dhe biseduar, hapur dhe qartë.

Kryeministri Thaçi shprehu gadishmërinë e Kosovës për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si mënyra më e mirë nga e cila do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve dhe i gjithë rajonit. U pajtuam që procesi i normalizimit me Serbinë është vendimtar për europianizimin e rajonit. Kosova është e vendosur për këtë proces. Por të jemi të qartë, ora e historisë nuk do të kthehet prapa. Shteti i Kosovës po forcohet cdo ditë dhe po konsolidohet. Pavarësia dhe integriteti janë fakte të njohura ndërkombëtarisht. Por ka shumë cështje që janë në interes të të dy shteteve. Dialogu është rruga e vetme dhe BE-ja është katalizatori për suksesin e këtij procesi. Diplomatet Klinton dhe Ashton takuan edhe përfaqësuesit e partive politike në vend. Pas Prishtinës Klinton do të vazhdojë vizitën edhe në Shqipëri dhe Kroaci.(LajmeShqip.com)

************************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 31 TETOR 10:50)-  Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, Catherine Ashton, kanë përfunduar takimin me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Kufijtë e Kosovës sovrane dhe të pavarur janë të qartë dhe janë të caktuar përgjithmonë”, ka thënë Clinton në konferencën me gazetarë në Prishtinë.Clinton po ashtu ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Ajo e ka mbështetur edhe aspiratën e Republikës së Kosovës në rrugën drejtë BE-së.

Nërkaq, baronesha Catherine Ashton ka deklaruar se Thaçi është treguar guximtar që ka takuar Daqiçin, duke theksuar se “dialogu, të cilin e kemi filluar, nuk është i lehtë, për asnjërën palë”.

Kurse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se edhe pse Kosova ka arritur shumë suksese dhe përparime, sfidë e madhe për Qeverinë e Kosovës mbetet veriu i saj, duke shtuar se prania e strukturave paralele serbe në atë pjesë të vendit po e vështirëson realizimin zhvillimit edhe të asaj pjese të vendit.Thaçi po ashtu i ka siguruar edhe sekretaren Clinton edhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Ashton, se Kosova do t’i përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme për integrim në BE.

Ai ka shtuar se janë pajtuar bashkërisht se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është vendimtar për të dyja shtetet, duke shtuar se dialogu është rruga e vetme për të arritur deri te kjo situatë.

Clinton dhe Ashton arritën  në Prishtinë.

Prishtinë (30 Tetor 2012 – 20:40)- Sekretarja amerikane Hillary dhe përfaqësuesja e lartë e politikës së jashte të BE-së Catherine Ashton kanë arritur nga Beogradi në Prishtinë. Dy kryediplomatet do të qëndrojnë  në kryeqytetin e Kosovës gjatë natës mes së martës dhe të mërkurës.

Kryediplomatja amerikane dhe shefja e diplomacisë së bashkimit evropian nuk kanë dhënë prononcime për media pas aterrimit në Aeroportin e Prishtinës. Ato janë pritur nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga. Në Aeroportin e Prishtinës kanë qenë të vendosur edhe gadra e nderit e FSK-së mirëpo nuk ka pasur ceremoni të veçantë të nderimit. Sipas agjendës dy kryediplomatet të mërkurën në mëngjes do të takohen me presidenten e vendit Atifete jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Me shefin e qeverisë ato do të kenë edhe një adresim të përbashkët para mediave, ndërkaq që takim do të kenë po në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare të vendit.(LajmeShqip.com)