Lajme Shqip Sunday, 28 October 2012 11:08

KOSOVË – Dialogu në mes Kosovës dhe Serbia duhet të zgjerohet në nivelin presidencial, e kjo do të thotë se në të duhet të përfshihet edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliç dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo është një nga kërkesat e Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton, kërkesë kjo që do t’u bëhet e ditur në takimin e 31 tetorit presidentit dhe kryeministrit serb, transmeton “Blic”.

Siç mëson gazeta serbe nga burimet diplomatike në Bruksel, Kosova mbetet prioritet për vendimin nëse Serbia do të mund të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në, prandaj është e domosdoshme që të vazhdohet dialogu në nivelin e kryeministrave, e kjo do të thotë se në mes të nëntorit, në një atmosferë konstruktive, sërish të takohen kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi.

“Përveç kësaj pritet që në nëntor të takohet grupi punues, në nivel ministror, për të filluar zgjidhjen konkrete të problemeve në sektorët e telekomunikacionit dhe energjisë. BE-ja dhe SHBA-të dëshirojnë të shohin qëllimin e mirë për të zgjidhur probleme dhe propozime konkrete”, thotë një burim i gazetës serbe.

BE-ja, por edhe SHBA-të, presin që deri në fund të vitit Parlamenti serb të miratojë një dokument, i cili mund të jetë në nivelin e deklaratës, ose strategjisë,  në të cilin do të thuhej se dialogu me Prishtinën bëhet në mënyrë të vullnetshme dhe është i dëshirueshëm.

“Detajet nuk janë të rëndësishme, por është e rëndësishme që platforma e tanishme, në të cilën janë duke punuar autoritete e Serbisë, të shndërrohet në vendim të Parlamentit të Serbisë se dialogu me Prishtinën është i dëshiruar”.

SHBA-të edhe BE-ja, kjo do t’iu thuhet presidentit dhe kryeministrit serb, presin të shohin përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, respektivisht për pjesën e marrëveshjes së arritur në Bruksel nga qeveria e mëparshme serbe.

“Clinton dhe Ashton do të konfirmojnë përkushtimin dhe përkrahjen për vazhdimin e dialogut të filluar, por edhe përmbushjen e pritjeve, zbatimi i të cilave nuk është i dobishëm vetëm për Serbinë, por edhe për rajonin”, ka thënë një burim nga Brukseli.(LajmeShqip.com)