Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 16:37

Prishtinë – Ambasadori britanik në Kosovë Ian Cliff tha se marrëveshja e Brukselit nuk ofron zgjidhje ideale, por që për banorët e veriut është më e rëndësishme që zgjedhjet lokale të parapara për muajin nëntor, të jenë të suksesshme dhe që serbët të dalin e votojnë.

Diplomati britanik tha se marrëveshja Prishtinë-Beograd për normalizimin e raporteve, i ofron mbrojtje serbëve përmes Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin e përkrah edhe qeveria e Serbisë.
Çdo marrëveshje tjetër e cila nuk nënkupton ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, sipas tij, do të ishte e keqe për rajonin dhe shtete fqinje.
Ambasadori Cliff tha se në Ballkan ekzistojnë dy parime për stabilitetin.
“Ato janë integriteti territorial dhe parimi i vetëvendosjes. Andaj, ne mbështesim integritetin territorial të Kosovës në kufijtë që kishte në ish-Jugosllavi. Për këtë arsye, banorët e veriut të Kosovës duhet të jenë nën ombrellën e Kosovë”, citohet të ketë thënë Cliff në një intervistë për televizionin Most.