Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 08:38

​Bllokimi i Ligjit për Arsimin e Lartë nga Lista Serbe, shihet si një rrezik nga opozita dhe analistët. Kjo pasi, sipas tyre Lista Serbe po vazhdon t’i bllokojë organet shtetërore, dhe me këtë tempo si është tani, ajo do të kthehet në një fuqi më vete. Megjithatë, ata thonë se, kjo ka qenë e ditur dhe e pritshme, që nga momenti kur ky etnitet ka hyrë në qeverisje.

Sipas zëdhënësit të AAK-së, Muharrem Nitaj, Ligji për Arsim të Lartë ka pasur mundësi të finalizohet më herët, por për interesa politike, nuk ka ndodhur një e tillë gjëje. Ai poashtu ka thënë se Lista Serbe është duke kaluar në një subjekt të veçantë dhe po e cenon sistemin e arsimit.

 “Sa i përket Ligjit për Arsimin e Lartë, kjo çështje ka mundur të ishte kryer në mandatin e shkuar, por lufta politike për primat politik në UP, i ka pamundësuar partitë e mëdha që ta miratojnë atë. Lista Serbe po shndërrohet në subjekt një politik dhe jo vetëm që e rrezikon funksionimin e sistemit arsimor, por edhe mund t’i bllokojë edhe shumë ligje të tjera. Vetë e kanë forcuar Listën Serbe, e tash ia pafshin hajrin ”, ka thënë Nitaj për Gazeta Blic.

Ngjashëm mendon edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili i ka thënë Gazetës Blic, se të gjitha institucionet po vazhdojnë të paaftësohen nga kjo Listë, e cila sipas tij është nën mbikëqyrjen e kryeqytetit serb.

 “Ende pa u themeluar fare “Zajednica”, institucionet shtetërore po bllokohen në çdo vendim të rëndësishëm nga Lista Srpska, pra nga ky formacion çetnik që është instrument i Beogradit. Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi ka paralajmëruar që veprimet e Qeverisë së Kosovës, përmes marrëveshjeve të Brukselit, do të shpiejnë në shndërrimin e vendit tonë në një Bosnjë të dytë, dhe kjo është ajo që po ndodhë”, ka thënë Krasniqi.

Ai poashtu ka shtuar se Lista Serbe do të bëjë kërkesa për një zgjerim të “Zajednicës”, po qe kjo e fundit arrihet plotësisht.

 “Paramendojeni se çka do të ndodhë nëse arrin të krijohet “Zajednica”! Shteti dhe shoqëria do të bllokohen nga ky entitet autonom i kontrolluar nga Beogradi, i cili vazhdimisht do të kërkojë zgjerim edhe më të madh të kompetencave të “Zajednicës”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, analisti për çështje politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se ka qenë e ditur për të tilla veprime, prej se Lista Serbe ka hyrë në qeverisje.

 “Që nga përfshirja e Listës Serbe në koalicion ka qenë e qartë se ky subjekt politik, i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës, pavarësisht se bën pjesë në institucione, do të përpiqet që të minojë dhe bllokojë nismat për të cilat konsideron se nuk i vijnë përshtati programit dhe agjendës së saj partiake”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Opinionisti Mushkolaj ka shtuar se, këtij etniteti duhet t’i bëhet e ditur se duhet të punojë në favor të të gjithë qytetarëve, e jo vetëm për komunitetin serb.

 “Listës Serbe duhet t’i bëhet e qartë se nuk është në qeveri për të minuar e bllokuar iniciativa, por që me angazhimin e vet të kontribuojë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve, e jo vetëm atyre serbë”, ka përfunduar ai.

Qeveria e Kosovës sot ka shtyrë miratimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë, pas kërkesës së ministrit Lubomir Mariq që vjen nga lista Serbe. Sipas tij, ende nuk janë bërë konsultime për përfshirjen e Universitetit të Mitrovicës Veriore në këtë projektligj.

Mirëpo, ministri i Arsimit Arsim Bajrami e ka vlerësuar si të panevojshëm shtyrjen e këtij projektligji, sepse plotësimet dhe ndryshimet mund të bëhen gjatë dy leximeve në Kuvendin e Kosovës. /GazetaBlic