Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 21:50

Struktura e deritashme paralele e sigurisë në veri të Kosovës “Civilna Zasita” (Mbrojtja Civile), ia ka dorëzuar Policisë së Kosovës tri pika të vëzhgimit, që i ka mbajtur në rrugën magjistrale nga Mitrovica deri në Jarinë dhe mbi uren e Ibrit në Mitrovicë. Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin Dren Zeka -këshilltar politik i ministres Edita Tahiri.

“Marrëveshja për shuarjen e të ashtuquajturës Mbrojtja Civile (Civilna Zastita) e arritur më 26 mars 2015 në pikën 13. të saj ka paraparë që tre pikat e vrojtimit nga rruga Mitrovicë për në Jarinjë të largohen dhe pika vëzhguese e vendosur në pjesën veriore në urën kryesore të Mitrovicës t’i dorëzohet Policisë së Kosovës”, kështu i tha Telegrafit, Dren Zeka -këshilltar politik i ministres për Dialog, Edita Tahiri.

Sipas Zekës, më 11 qershor 2015 është bërë heqja e tre pikave të vrojtimit në mes të rrugës Mitrovicë-Jarinjë, përkatësisht në Jarinjë, Leposaviq dhe në dalje të rrugës nga komuna veriore e Mitrovicës.

“Pas dorëzimit tek Policia e Kosovës më 11 gusht të pikës vrojtuese që gjendet në urën kryesore të Mitrovicës, sot më 14 shtator 2015 u bë edhe heqja e saj”, tha Zeka.