E ashtuquajtur “Civilna Zastita”, një organizatë paralele e armatosur në veri të Kosovës, është aktive dhe më e mobilizuar, ndonëse Qeveria e Kosovës, në veçanti ministrja për Dialog, Edita Tahiri, disa herë kanë konfirmuar se ajo është shpërbërë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, më 26 mars të këtij viti.
Këtë bindje e kanë pothuajse të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të cilët, siç thonë, “i shohin për çdo ditë në veprim pjesëtarët e ‘Civilna Zastita’-s”.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Administratës së Pushtetit Lokal kanë deklaruar se rekrutimi i pjesëtarëve të “Civilna Zastita”-s është duke u bërë në kuadër të ministrive dhe agjencive ekzekutive të Qeverisë së Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat i ka bërë publike sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Besnik Osmani, për 320 pjesëtarë të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” ka përfunduar procesi i selektimit.
Por, vetëm 105 prej tyre tashmë kanë filluar punën dhe angazhimet e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.