Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 16:00

Prishtinë – Komisioni Evropian ka rekomanduar lancimin e një dialogu strukturor për fushën e rendit dhe ligjit, tha ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, duke shtuar se  tashmë nuk ka hezitime nga vendet e BE-së se çështja e veriut duhet të trajtohet me prioritet.

Në raportimin në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Integrime Evropiane, e pyetur sa ka arritur qeveria e Kosovës që ta bindë BE-në se çështja e sundimit të ligjit është e lidhur me normalizimin e gjendjes në veri, Çitaku tha se “tashmë nuk ka hezitime nga vendet e BE-së se çështja e veriut duhet të trajtohet me prioritet. Do të ketë një agjendë më të intensifikuar përmes së cilës do të synohet dhe do të shtrihet rendi dhe ligji në vend”.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit kosovar, ministrja Çitaku ka bërë të ditur se të gjitha vërejtjet në raportin e KE-së janë marrë në konsideratë nga qeveria e Kosovës.
“Menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit, është mbajtur mbledhja e këshillit ministror lidhur me raportin e Komisionit Evropian. Me këtë rast kryeministri  Thaçi ka përcaktuar objektivat e qarta për secilën ministri, të cilat duhen adresuar deri në shtator të vitit të ardhshëm”, u shpreh ajo.

Të martën e javës së ardhshme në një seancë të veçantë plenare të Kuvendit do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me Raportin e Progresit 2011 për Kosovën, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së.