Lajme Shqip Friday, 07 June 2013 12:49

Prishtinë – Ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave që ka bërë hoxhë Shefqet Krasniqi duke i thënë ministres që “ti kqyrë punët e saj”.

Ishte raportuar se Krasniqi ka komentuar reagimin e Çitakut, ndaj ligjeratës së shumëpërfolur të imam Irfan Salihut.

“Edhe 1 muj bëhet liberalizimi i vizave edhe 2 muj edhe 1 vjet. Jo zonjë liberalizimi i vizave për ty ndoshta është bërë por për ne jo. Zojë më mirë këqyri punët e tua” i është drejtuar Krasniqi ministres Çitaku. Ndërsa sa i përket reagimit të djeshëm të tri deputeteve, Alma Lama, Teuta Sahatqija dhe Blerta Deliu, Krasniqi, siç raporton infoglobi, është shprehur se ishin këto deputete ato që 2 vite më parë “na e nxinë Bajramin”. “Ju me dorën tuaj votuat kundër mbulesave, na e keni nxirë Bajramin. Mos mendoni se ne harrojmë, Jo jo zonja nuk harrojmë” , ishte shprehur Krasniqi në një emision.

Kjo deklaratë ka shtyrë ministren Çitaku që të reagojë. Ajo këtë e ka bërë nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke thënë se “prania e korrupsionit nuk e amniston fundamentalizmin”.

“Pike se pari, agjenda Evropiane dhe konteksti kulturor politik nuk Jane kontekste te shkeputura, por nderveprojne njera me tjetren. As njera as e as tjetra nuk mund te permbushen/ndertohen/shkaterrohen vetem nga nje individ! E dyta, ata qe me thone merru me viza e kqyri punet tua u them: Po, me viza po merrem dhe do te merrem. Po asgje nuk na duhen vizat ne nje shtet talibanesk! Dhe mos me thuani tani Jo luftojeni krimin e korrupcionin se ato Jane rreziku I vertete, sepse pajtohem plotesisht! Po prania e korrupcionit nuk e amneston fundamentalizmin! Une kam me I luftu te dyjat!”, shkruan Çitaku në profilin e saj në Facebook.