Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 12:14

Prishtinë – Ministrja e Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, takoi sot ambasadorin e Japonisë në Vjenë, Shiego Iwatani.

Gjatë takimit ministrja Çitaku i shprehu ambasadorit Iwatani ngushëllimet e sinqerta dhe të thella për katastrofën natyrore që i ndodhi popullit japonez. Ajo tha se me gjithë dhimbjet që shkaktoi kjo tragjedi, njëkohësisht tregoi zemërgjerësinë dhe fuqinë e popullit japonez.

Ambasadori Iwatani falënderoi popullin dhe Qeverinë e Kosovës për gatishmërinë dhe për ndihmën e ofruar.

Edhe Ministrja Çitaku ka falënderuar popullin dhe qeverinë japoneze, për ndihmën e dhënë gjatë tërë viteve të pas luftës.

Ambasadori japonez  ka përshëndetur progresin e arritur nga Qeveria e Kosovës. Gjithashtu, ka shprehur interesimin që edhe në të ardhmen, përveç fushave që janë duke u investuar, Qeveria Japoneze do të  përkrahë në masë të madhe projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomik, gjegjësisht me investimet në projektet që ndërlidhen në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë.

Në fund të takimit u theksua se partneriteti dhe bashkëpunimi i lartë midis dy shteteve, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.