Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 16:33

Prishtinë – Ministrja  kosovare e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, tha se veprimet e qeverisë në veri të vendit nuk rrezikojnë aspak procesin e integrimit. “Përkundrazi, ato paraqesin përmbushje të një parakushti të rëndësishëm të Komisionit Evropian për procesin e integrimeve në tërësi dhe atë të liberalizimit të vizave në veçanti”, tha ajo.

Ministrja Çitaku tha se menaxhimi i kufijve dhe kontrolli i integruar i tyre, është një parakusht esencial në procesin e liberalizimit të vizave.

Ndërkohë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, është parakusht vendimtar për procesin e integrimit në Bashkiminn Evropian, tha ajo.

Ndërkaq, lidhur me njohjet e fundit të shtetit të Kosovës, ministrja Çitaku, tha se ndikojnë në mënyrë indirekte në formë presioni në pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, duke forcuar pozicionin ndërkombëtar të saj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane mbajti një ligjëratë në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, me temë: “Kosova dhe integrimet evropiane”, në kuadër të seminarit ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. (LajmeShqip.com)