Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 13:30

Tensionohet gjendja në BSPK. Dy kryetarët e zgjedhur në dy kongrese të ndara të premten, kontestojnë njëri tjetrin.

Përderisa Haxhi Arifi në një konferencë për media tha se ai është udhëheqës legjitim, Ali Shabanaj, i cili po ashtu pretendon se është legjitim, u pengua të hyjë në objekte të BSPK-së.

Haxhi Arifi dhe Ali Shabanaj nuk preferuan të takohen me njëri tjetrin, por përmes mediave drejtuan akuza të ndërsjella. Përderisa Arifi në një konferencë në lokalet e BSPK-së tha se ai është legjitim në postin udhëheqës, Ali Shabanaj u pengua të hyjë në objekt.

Haxhi Arifi, i cili u rizgjodh në këtë post për mandatin 5 vjeçar, tha se gjithçka është zhvilluar në pajtim me statutin e BSPK-së, dhe se për kongresin e gjashtë ka vendosur këshilli drejtues dhe degët.

Prandaj ai kontestoi kongresin e mbajtur nga fraksioni i Ali Shabanajt. Arifi tha se është orvatur të zhvillojë dialog me pjesën që është ndarë nga BSPK-ja, por pa sukses. Megjithatë theksoi se dera e BSPK-së është e hapur për të gjitha sindikatat që duan të jenë pjesë e saj.

Në anën tjetër, Ali Shabanaj, i cili u zgjodh po ashtu të premten në krye të BSPK-së, në atë që e quajtën vazhdim i kongresit të pestë, u pengua të hyjë në objekt të BSPK-së.

BSPK-ja u nda në dy grupe në kongresin e pestë të mbajtur në qershor, ku Haxhi Arifi u shkarkua nga përkrahësit e Ali Shabanajt.

Ndërkaq ankesa e tyre ndaj Arifit për të lëshuar objektet e BSPK-së, është refuzuar nga Gjykata komunale e Prishtinës. Përderisa secila palë pretendon se ka të drejtë, atëherë i mbetet gjykatës të vendosë për këtë. Ndërkaq punëtorët do të vazhdojnë të përfaqësohen nga dy sindikata me të njëjtin emërtim.