Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 17:41

Prishtinë – Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Boris Tadiq, në deklarimin e tij se prapa veprimeve të Qeverisë së Kosovës kundër Serbisë qëndron ambasadori Dell.

Gjatë vënies së gurthemelit të shtëpisë së kulturës në fshatin Badovc të komunës së Graqanicës, Dell tha se “Serbia e ka më lehtë të besojë se prapa vendimeve të Kosovës qëndron ai, sesa të besojë se Kosova është një shtet i cili i merr vetë vendimet për qytetarët e saj”.

Ai, duke ironizuar, e ka falënderuar Tadiqin, i cili e ka akuzuar atë se po ndërhyn në Prishtinën zyrtare kundër Serbisë.

“Autoritetet e Kosovës i kanë kapacitetet dhe dëshirën për t’i marr vetë vendimet siç ata mendojnë se është më mirë. Mendoj se është jo e arsyeshme të mendosh se vendimet nuk janë bërë nga autoritetet e Kosovës”, u shpreh Dell.