Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 13:07

Kukës –  Sot për rreth 3 orë, i gjithë rrethi i Kukësit ka qenë pa energji elektrike. Kjo pas protestës së banorëve të fshatit Shtiqën dhe Bicaj, të cilët pas ndërprerjes së energjisë elektrike nga Cez, kanë kërcënuar edhe bllokimin e lëvizjes së mjeteve në autostradë.

Drejtues të pushtetit vendor dhe forca të policisë po negociojnë me banorët, për gjetjen e një zgjidhjeje të problemit, ndërkohë që rreth orës 12:00, ka nisur furnizimi me energji elektrike.

Në realitet, ndërprerja e energjisë elektrike për shkak të ndërhyrjes së protestuesve në nënstacionin e  Rexhepajt po bëhet një fenomen i zakonshëm. Ndërprerja gjatë ditës së sotme ishte vazhdim i ndërprerjes për më shumë se 7 orë i energjisë elektrike për gjithë banorët e rrethit të Kukësit, gjatë mbrëmjes së natës së kaluar. Kjo pasi, banorët e dy komunave të rrethit të Kukësit, të Shtiqnit e Bicajt, bllokuan mbrëmjen e kaluar lëvizjen e mjeteve në autostradë në aksin Kukës-Morinë në vendin e quajtur “fushorja e Uzinës”. 

Bllokimi i rrugës çoi në paralizimin total të trafikut të lëvizjes së mijëra automjeteve që kanë qëndruar për më shumë se 4 orë në rrugë, ndërsa radha e makinave shkoi në më shumë se 2 kilometra në të dyja korsitë e autostradës. Shkak për këtë bllokim është bërë një protestë që banorët e komunave Shtiqën e Bicaj kanë bërë për shkak të mungesës së energjisë elektrike në banesat e tyre.

Rruga është bllokuar rreth orës 21.00 dhe kalimi i automjeteve është mundësuar vetëm pas mesnatës, kur energjia elektrike është kthyer për të gjitha zonat, edhe të atyre zonave që iu ishte ndërprerë më parë.

Ndërkohë, policia e Shtetit ka qenë gjatë gjithë kohës në vendin ku protestuesit kanë bllokuar rrugën, por nuk ka ndërhyrë me forcë për ta hapur atë. Tensione ka pasur edhe mes protestuesve dhe drejtuesve të automjeteve që kanë kërkuar lejimin e lëvizjes së mjeteve në autostradë.  (LajmeShqip.com)