Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 13:57

Tiranë- Kanë dëshmuar sot 5 vetë në procesin gjyqësor ndaj ish zv. kryeministrit Meta, i cili akuzohet për korrupsion aktiv pas publikimit të videos skandal me ish vartësin e tij Dritan Prifti. Mes dëshmitarëve kanë qënë edhe vëllezërit Tola që kanë patur edhe shoqërinë me të njejtën emër “Tola”.

Ymer Tola konfirmoi se kishte marrë pjesë në tenderin për dhënien me koncesion të HEC-it në Shushicë, por u skualifikua nga Ministria e Ekonomisë me argumentin se kishte konflikt interesi.

Tola deklaroi se 700 mijë euro ishte vlera e investimit në këtë HEC. Kujtojmë këtu se kjo shumë është përdorur në video përgjimin Meta-Prifti. Në seancën e sotme prokuroria kërkoi gjithashtu administrimin e provave lap topin, orën kamera dhe USB, nga Dritan Prifti, si prova bazë.

Kërkesa e prokurorisë u kundërshtua nga pala mbrojtëse. Seanca e radhës do mbahet në 16 dhjetor ku gjykata do vendosë për provat që kërkon të administrojë organi i akuzës.