Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 16:36

Tiranë – Ish-drejtori i kompanisë “Meico” në Ministrinë e Mbrojtjes, Ylli Pinari ka kërkuar shpalljen i pafajshëm për çështjen ‘Gërdeci’.

Në seancën e radhës të zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës, mbrojtësi ligjor i Pinarit i ka cilësuar akuzat ndaj tij si tendencioze. Sipas mbrojtjes, kompania ‘Meico’ nuk drejtohej posaçërisht nga Pinari, por vendimet merreshin sipas ligjit, nga një këshill drejtues.

Si të pandehur për çështjen “Gerdeci” janë 29 persona, në pjesën më të madhe ish- funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes. Ata akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 Mars të 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Aktualisht, procesi “Gërdeci”,  është fokusuar te pretendimet e palës mbrojtëse.

Pak kohë më parë, prokuroria ka dhënë pretencën e saj, duke kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me masa të ndryshme burgimi për të pandehurit. Për ish- drejtorin e Kompanisë “Meico” në ministrinë e Mbrojtjes,  Ylli Pinari prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm.