Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 18:33

Tiranë – Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëti Idrizi, ka depozituar në Kuvend rezolutën për çështjen çame.

Duke folur për mediat, Idrizi tha se kjo është një rezolutë që nuk shpall luftë, por vendos paqe.

“Rezoluta është testament i atyre mijëra shqiptarëve të Çamërisë që u vranë dhe u masakruan, por dhe një testament i gjallë. Kjo rezolutë nuk i shpall luftë Greqisë, por është një rezolutë paqeje. Nuk është thjesht rezolute e PDIU, por është rezolutë e dy shqiptarëve çamë që i adresohet për mbështetje të gjithë deputetëve dhe popullit shqiptar. Nuk do t’i drejtohemi partive parlamentare, por do t’i drejtohemi ndërgjegjes kombëtare të parlamentarëve shqiptarë,” u shpreh Idrizi.

Sipas Idrizit, rezoluta është një akt drejtësie europiane sepse ajo i referohet rezolutës të të drejtave të njeriut. “Besojmë që parlamenti i sotëm nuk është parlamenti i vitit 2004 që deputetët braktisën sallën e parlamentit të diktuar nga Athina zyrtare dhe anëtarët e Çamërisë u rrahën në dyert e parlamentit”, shtoi Idrizi.

Rezoluta, e cila përbëhet nga 13 pika, thekson në mënyrë të veçantë shfuqizimin e ligjit grek të luftës i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e statusit të minoritetit etnik etj.

Në relacionin e rezolutës thuhet se duhen rikthyer pronat e çamëve, që sipas një vlerësimi të një studioje britanike, kapin vlerën e 10 miliard eurove. Në relacion thuhet se pronat e shqiptarëve në Greqi arrijnë në total në 20 miliard euro. (T.O/LajmeShqip.com)